Rama dhe Plenkoviq: Jemi në pritje të Borrellit dhe Lajçakut për masat ndaj Serbisë

  • A.P /
  • 02 October 2023 - 16:52
Rama dhe Plenkoviq: Jemi në pritje të Borrellit dhe Lajçakut për masat ndaj Serbisë

Pro vënies së masave ndëshkuese ndaj Serbisë për shkak të sulmit të para një jave ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, kanë deklaruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Rama e vizitoi Zagrebin dhe pas takimit me Plenkoviqin, në një konferencë për media të dy thanë se ka prova të mjaftueshme për ta ndëshkuar Serbinë, raporton Gazeta Express.

Plenkoviq tha se se po presin një propozim të kryediplomatit europian, Josep Borrell dhe emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak për të parë më pas se për çfarë masash bëhet fjalë.

“Sa i përket masave, siç thashë pak më herët ju e dini që Komisioni Europian ka ndërmarrë disa masa të caktuara në dëm të Kosovës para disa muajsh. Këto masa janë ndërmarrë edhe pa obligimin e aprovimit nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian. Këto janë disa prej masave, të cilat në mënyrë autonome ndërmerren nga ana e Komisionit Europian”, tha Plenkoviq.

“Çfarë pritet tani është që i dërguari special dhe bëhet fjalë për të ish-ministrin e punëve të Brendshme të Sllovakisë, Mirosllav Lajçak, i cili është më se drejtpërdrejt i përfshirë së bashku me tërë shërbimin e politikës së jashtme  të drejtuar nga zoti Josep Borrell do të bëjnë një propozim. Kur të bëjnë propozimin do të shohim se cilat do të jenë këto masa, por supozojmë që një vepër e tillë nuk do të mbetet pa përgjigje dhe gjithashtu konsiderojmë që deklarimi apo shpallja e ditës së zisë për vrasjen e policit të Kosovës apo për tre të vrarët të cilët kishin vrarë më herët policin e Kosovës ka qenë diçka e papranueshme dhe është një mesazh, i cili nuk kupton identifikimin e plotë me veprën e bërë dhe kjo është diçka që nuk ka qenë asesi e mirë dhe jam i sigurt që në ditët në vijim, në bazë të analizës së detajuar, pasi duam të jemi tërësisht të informuar mbi atë se çfarë ka ngjarë, do të rrjedhin propozimet në bazë të kësaj çfarë kemi përmendur”, shtoi kryeministri kroat.

Rama ndërkaq, tha se “çfarëdo të prisnim ne nga hetimi ndërkombëtar konkretisht, që është shumë mirë të bëhet patjetër, që në fund fare mund të japë me gjasë edhe ndonjë element më shumë patjetër, por ndërkohë pa pasur nevojë për një hetim ndërkombëtar, ne kemi faktin që nënvizuam së bashku me kryeministrin”.

“Kemi krimin, vrasjen e një efektivi të policisë dhe kemi heroizimin e atyre që morën pjesë në këtë vrasje dhe në aspektin kriminalistik policor, hetimi ndërkombëtar mbase sjell dhe ndonjë element plus, por në aspektin politik dhe në aspektin e qëndrimit të një shteti në raport me disa norma dhe me disa vlera të patjetërsueshme të kësaj Europe, të cilës i përkasim dhe në të cilën duam të jemi të gjithë një familje e bashkuar, kjo është qartësisht e mjaftueshme”, tha ai.

“Madje më shumë sesa e mjaftueshme, që minimalisht e thashë dhe më parë, ato masa të cilat Komisioni mund të marrë pa nevojën e konsensusit mes gjithë vendeve anëtare, që kryeministri e rishpjegoi, të ishin marrë menjëherë dhe duhet të merren pa humbur kohë sepse është në lojë një gjë shumë më e madhe se kaq, fati i një procesi që kërkon në radhë të parë një qëndrim të vijueshëm, të drejtë dhe pa diskutim të shpejtë të vetë Bashkimit Europian që është edhe ura e një dialogu që në asnjë mënyrë nuk duhet të dështojë, por duhet të shkojë përpara”, shtoi kryeministri shqiptar.

“Kështu që, nuk ka nevojë për hetim ndërkombëtar për t’i hedhur këto hapa. Pastaj hetimi kombëtar, ndërkombëtar mirë se të vijë, sigurisht në rast se e merr përsipër dikush”, tha Rama.

(Kosova Sot Online)