DASH deklarohet për zhvillimet e fundit në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë

  • A.P /
  • 02 October 2023 - 21:20
DASH deklarohet për zhvillimet e fundit në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë

Për zhvillimet e fundit në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, ku pati një shtim të trupave serbe, është deklaruar Departamenti Amerikan i Shtetit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online"..

 Vuçiq tashmë ka tërhequr disa prej tyre nga kufiri pas paralajmërimeve të ShBA-së se mund të përballet me masa ndëshkuese. Mirëpo, nga DASh thonë se një gjë e tillë nuk është konfirmuar ende.

Në një deklarim para gazetarëve, zëdhënësi i DASh, Matthew Miller, tha se janë në dijeni lidhur me raportimet për dislokimin e trupave ushtarake serbe por se Shtetet e Bashkuara ende nuk e ka verifikuar këtë.

Megjithatë, nëse ka ndodhur, Miller tha se do të ishte hap i mirëseardhur.

“Kemi parë raportimet se Serbia ka tërhequr personelin ushtarak larg kufirit. Ne ende nuk i kemi verifikuar ato në mënyrë të pavarur dhe do të kërkojmë konfirmim të mëtejshëm. Por nëse është e vërtetë, ky do të ishte një hap i mirëpritur, diçka që ne kërkuam të ndodhte javën e kaluar”, deklaroi ai në konferencë.

Tutje tha se ShBA është e shqetësuar me rritjen e tensioneve pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, duke kërkuar që Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut.

“Ne vazhdojmë të jemi të shqetësuar për ciklin e rritjes së tensioneve dhe dhunës sporadike në veri të Kosovës dhe inkurajojmë të dyja palët që të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

(Kosova Sot Online)