Knaus: Nëse merren parasysh deklaratat e politikanëve serbë do të ketë sulm tjetër në Kosovë

  • A.P /
  • 03 October 2023 - 19:07
Knaus: Nëse merren parasysh deklaratat e politikanëve serbë do të ketë sulm tjetër në Kosovë

Pas shpërthimit të fundit të dhunës në Kosovë, një gjë është e qartë: Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq nuk do të ndalojë së qëlluari. Për Gjermaninë dhe BE-në, tani është koha për një politikë kredibile të integrimit në Ballkan. Kështu thotë sociologu austriak, Gerald Knaus në një opinion të publikuar së fundi në mediumin e njohur “Spiegel”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”

Shkrimin e tij, ai e fillon duke rrëfyer një vizitë në Kosovë, më konkretisht në Graçanicë gjatë muajit gusht.

“Në mesin e gushtit, isha ulur në një kafene në Graçanicë, një komunitet me shumicë serbe në jug të Prishtinës, kryeqyteti i Kosovës. Përballë komunës, valëvitej një flamur i madh serb. Në parking kishte vetura të stacionit policor, ku ishte në shërbim një forcë policore multietnike. E pagova kamarierin serb në euro, monedhën zyrtare të Kosovës, dhe më pas kalova pranë një posteri të madh të presidentit serb Aleksandar Vuçiq në manastirin ortodoks me muralet e tij mesjetare të parajsës dhe ferrit....” – shkruan ai.

Knaus tutje vijon ta përshkruajë se si në fakt, e paraqet situatën e serbëve në Kosovë, apo të qyteteve të banuara me shumicë serbe.

“Nëse besoni presidentin serb Aleksandar Vuçiq, atëherë qyteti i vogël paqësor i Graçanicës, me shkolla, spitale dhe tabela rrugësh dygjuhëshe serbe, është një iluzion. Ai dhe ministrat e tij kanë paralajmëruar për vite me radhë për “pogromet e organizuara” nga shteti kundër pakicës serbe në Kosovë, që tani vlerësohet në pak më shumë se 100,000, dhe nëse kjo ndodh, ata kërcënojnë me një përgjigje ushtarake "për t'i mbrojtur ata".” – thuhet tutje.

Sociologu gjerman e shpjegon qartë: “Por këto pogrome, nuk ekzistojnë”.

Mes tjerash përmenden edhe masat e Bashkimit Evropian, ku sipas tij, ndërkombëtarët në vend se ta ndëshkonin retorikën nxitëse, vendosën ta ndëshkojnë Kosovën: “Reduktuan kontaktet dhe ndihmat u ngrinë”.

Po ashtu, ai përmend edhe kërkesën për largimin e njësisë speciale, kërkesë të cilën, thotë se u bë edhe nga Beogradi.

“Pse u bë e qartë tani, më 24 shtator, në një të diel dramatike. Atë ditë, dhjetëra paraushtarakë serbë të armatosur me armë të rënda sulmuan policinë e Kosovës, duke qëlluar një polic, duke plagosur një tjetër dhe duke u tërhequr në një manastir ortodoks. Udhëheqësi i tyre, i cili tani e ka pranuar rolin e tij: Milan Radoiçiq, politikani dominues serb në Kosovë, njeriu i Vuçiqit në terren.” – shkruan ai.

Brukseli dhe Berlini, sipas Knaus kanë injoruar politikanët serbë dhe deklaratat e tyre publike nëpër media: “Brukseli dhe Berlini i panë paralajmërimet si të ekzagjëruara. Ata injoruan atë që politikanët serbë e thanë për çdo ditë ne mediat e tyre”.

“Në fund të majit 2023, protestuesit e dhunshëm të përforcuar nga Serbia sulmuan ushtarët e KFOR-it në veri të Kosovës në mënyrë aq agresive sa dhjetëra personel ushtarak italian dhe hungarez u plagosën, disa prej tyre rëndë. Në fillim të qershorit, forcat speciale serbe rrëmbyen policët kosovarë të cilët po përpiqeshin të parandalonin kontrabandën – përfshirë armët – në veri të Kosovës. Në të dyja rastet nuk pati pothuajse asnjë reagim nga NATO dhe BE. Vuçiq dhe guvernatori i tij Radoiçiq duhej të ndiheshin të inkurajuar.” – shkruan tutje.

Më pas, Knaus e përmend atë që sipas tij është e sigurt: “Sulmi tjetër do të pasojë”.

“Nëse e merrni seriozisht atë që politikanët po thonë aktualisht në Beograd, atëherë një gjë është e sigurt: sulmi tjetër do të pasojë. Mësimi: nëse shpiken pogrome, pason dhuna.” – thuhet në opinion.

(Kosova Sot Online)