Pse Beogradi e hodhi topin te Bosnja për armët e grupit të Radojiçiq?
Ministri i Brendshëm i Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Ramo Isak, ka deklaruar se “nuk ka informacion për ndonjë armë në zonën e Tuzllës”, që lidhet me rastin e Millan Radoiçiqit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Zyra e Prokurorit të Kantonit të Tuzllës tha se “nuk ka, as nuk mund të ketë ndonjë informacion” për armët në këtë qytet të Bosnjës.Administrata Federale e Policisë tha se do të “ndërmarrë aktivitete në lidhje me verifikimin e pretendimeve se Millan Radoiçiq ka blerë armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla nga janari 2023 deri më 24 shtator. Në mëngjes do të kërkojmë nga autoritetet e Republikës së Serbisë që të na japin informacionin në dispozicion”, sipas rel.
Radoiçiq, i cili e pranoi përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë, u ndalua të martën nga autoritetet në Beograd.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se e ka marrë në pyetje Radoiçiqin, i cili, ditë më parë, pranoi përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë – fshat në pjesën veriore të Kosovës.
Sipas Prokurorisë, Radoiçiq dyshohet se “ka siguruar armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, nga janari 2023 deri më 24 shtator”.
Armët i janë dorëzuar në territorin e qytetit të Beogradit – më së shpeshti në paralagjet Bubanj Potok dhe Vërçin, sipas Prokurorisë.
Më pas, ato armë “ai i ka transportuar dhe ruajtur në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në objekte të braktisura dhe pyje”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.
Sipas saj, i dyshuari e ka mohuar kryerjen e veprave të përmendura penale.
Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi më herët se ka kontrolluar banesën dhe ambientet e tjera të Radoiçiqit dhe se atij i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.
(Kosova Sot Online)