Pse Vuçiqi po e implikon Bosnjën në sulmin terrorist në veri të Kosovës?

  • A.P /
  • 04 October 2023 - 14:41
Pse Vuçiqi po e implikon Bosnjën në sulmin terrorist në veri të Kosovës?

Edhe pse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq thotë se do të japin llogari autorët e sulmit të 24 shtatorit në veri të Kosovës, por në të njëjtën kohë, terroristët, me në krye mikun e tij, Milan Radoiçiq ka vendosur t’i mbajë në Serbi. Ish-nënkryetari i Listës Serbe u arrestua, u lirua dhe ndaj tij mbiu një akuzë e re: se arsenalin e armëve e siguroi në Bosnjë. Në selinë e NATO-s në Sarajevë, komandanti i KFOR-it sot zhvilloi takime me komandantin e EUFOR-it dhe komandanten e shtabit të NATO-s., transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Milan Radoiçiq, udhëheqësi i grupit terrorist që e sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, u arrestua të martën në Serbi për t’u liruar sot, më pak se 24 orë më pas.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se e mori në pyetje Radoiçiqin, nën dyshimet se, sipas tyre, bashkë me disa persona – tash për tash të panjohur – kanë kryer vepra penale të bashkimit, me qëllim të kryerjes së veprave penale: “prodhim, mbajtje dhe trafikim i armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese”, si dhe “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.

Radoiçiq u arrestua menjëherë pasi Vuçiqi tha në një intervistë për CNN se autorët “do të japin llogari para institucioneve të Serbisë”.

Pas sekuestrimit të armatimit me vlerë mbi 5 milionë eurosh nga Policia e Kosovës, u tha se disa prej armëve janë të prodhuara në Serbi. Dhe në këtë pikë, Prokuroria serbe nisi shfajësimin të martën, duke thënë se dyshon se Radoiçiq “ka siguruar armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, në Federatën e Bosnjë e Hercegovinës, nga janari 2023 deri më 24 shtator”. Armët, sipas Prokurorisë athe, i janë dorëzuar në territorin e qytetit të Beogradit – më së shpeshti në paralagjet Bubanj Potok dhe Vërçin. Më pas, ato armë “ai i ka transportuar dhe ruajtur në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në objekte të braktisura dhe pyje”.

Bazuar në fotografitë e arsenalit të konfiskuar që më pas u ekspozua nga PK, u identifikuar armë dhe municione që, në shumicën e rasteve prodhohen në fabrikat serbe dhe ish-jugosllave të armëve.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha të dielën në një konferencë për media se në mesin e armëve të sekuestruara ka edhe predha të prodhuara këtë vit në Serbi, të cilat, sipas tij, nuk mund të blihen në tregun e zi dhe se ato mund të gjenden vetëm në fabrikën që i ka prodhuar ose në depo të ushtrisë apo policisë serbe.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për CNN hodhi poshtë pretendimet se armët ishin siguruar në Bosnjë. “Armët që ne i kemi konfiskuar tregojnë se ato ishin prodhuar vetëm gjashtë javë më parë në bazat ushtarake në Serbi”, tha ajo.

Bosnja mohon pretendimet e Serbisë

Administrata Federale e Policisë në Bosnjë e Hercegovinë tha se do t’i hetojë pretendimet se armët që përfunduan në Kosovë u siguruan në Tuzlla, por ministri i Brendshëm i Bosnjës, Ramo Isak, i tha REL-it se “nuk ka informacion për ndonjë armë në zonën e Tuzllës”, që lidhet me rastin e Radoiçiqit.

Zyra e Prokurorit të Kantonit të Tuzllës tha se “nuk ka, as nuk mund të ketë ndonjë informacion” për armët në këtë qytet të Bosnjës.

“Istraga”, një medium bosnjak, raportoi dje se Radoiçiq këtë vit kishte hyrë vetëm një herë në Bosnjë këtë vit, në qershor. Kishte shkuar në Banja Llukë me aeroplan nga Beogradi. Mediumi shkroi gjithashtu se asnjë agjenci policore apo e sigurisë nuk ka informacion se ai apo dikush nga grupi i tij ka blerë armë në Bosnjë e Hercegovinë.

Komandanti i KFOR-it në Kosovë shkon në Sarajevë për ta takuar komandantin i EUFOR-it dhe komandanten e shtabit të NATO-s në Bosnjë

Gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, komandanti i KFOR-it, misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë ka shkuar në Sarajevë për ta takuar komandantin e EUFOR-it në Bosnjë e Hercegovinë, Helmut Habermayer dhe me Pamela McGaha, komandanten e Shtabit të NATO-s atje.

“Gjeneralmajor Angelo Michele RISTUCCIA, komandant i misionit KFOR të udhëhequr nga NATO ishte në Bosnjë, ku mbajti takime të nivelit të lartë në selinë e NATO-s dhe në EUFOR ALTHEA në Sarajevë”, thuhet në njoftimin e bërë publik sot.

“Ata diskutuan për situatën e sigurisë në Bosnjë dhe Kosovë, duke rënë dakord për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet NATO-s dhe BE-së në afrimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon”, thuhet në njoftim.

KFOR-i gjithashtu kujtoi se është “misioni më i madh dhe më jetëgjatë i udhëhequr nga NATO me më shumë se 4000 trupa nga 27 vende të dislokuar në Kosovë”.

(Kosova Sot Online)