Shtëpia e Bardhë jep detaje nëse do të ketë rritje të trupave amerikane në Kosovë

  • A.P /
  • 04 October 2023 - 15:51
Shtëpia e Bardhë jep detaje nëse do të ketë rritje të trupave amerikane në Kosovë

Koordinatori për komunikim në Këshillin për Siguri Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, e ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk pritet ta rrisin praninë ushtarake në Kosovë pas ngjarjeve të 24 shtatorit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Kirby ka thënë se SHBA-ja ka në Kosovë një numër të vogël të forcave ushtarake në kuadër të KFOR-it dhe se nuk pret që ky numër të ndryshojë, apo që SHBA të rris numrin e ushtarëve.

“Siç e dini, janë një numër i vogël i forcave amerikane që janë pjesë e misionit paqeruajtës të KFOR-it – Forca e Kosovës – që NATO mban atje. Janë një numër i vogël. Unë — Nuk pres që ky numër do të ndryshojë  ose do të ketë ndonjë trupë shtesë të SHBA-së si rezultat i kësaj”, ka thënë Kirby në një konferencë për media.

Sa i përket vendimit të Britanisë së Madhe për 200 trupat shtesë në Kosovë, Kirby ka thënë se Mbretëria e Bashkuar aktualisht është në një cikël udhëheqjeje mbi KFOR-in dhe se për trupat britanike duhet folur me ta.

Ai ka ripërsëritur se sa i përket ushtrisë amerikane, s’parashikon ndonjë ndryshim në strukturën e ushtrisë amerikane në Kosovë.

 “Siç e kuptoj unë, Mbretëria e Bashkuar tani është në një cikël udhëheqjeje mbi KFOR-in, kështu që me të vërtetë duhet të flasësh me ta për një shpërndarje të forcës. Por unë nuk parashikoj ndonjë ndryshim në strukturën e forcës amerikane”, ka shtuar tutje ai.

(Kosova Sot Online)