Zëdhënësja e PE’së tregon kur mund të votohet rezoluta për sulmin terrorist në Banjskë

  • A.P /
  • 04 October 2023 - 16:27
Zëdhënësja e PE’së tregon kur mund të votohet rezoluta për sulmin terrorist në Banjskë

Për sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës dhe situatën aktuale të sigurisë, dje ka diskutuar Parlamenti Europian, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

në seancën e ardhshme gjatë muajit tetor PE do ta miratojë një rezolutë të veçantë për situatën në Kosovë.

Një zëdhënëse e PE-së  tha se data më e mundshme kur do të votohet kjo rezolutë është 17 tetori.

“Nuk e dimë ende, por me shumë mundësi votimi për rezolutën Serbi-Kosovë do të jetë të martën, më 17 tetor”, tha ajo, duke shtuar se për dje u vendos që të mos hidhet në votim për shkak që eurodeputetët “të kenë kohë për të përgatitur siç duhet rezolutën”.

Kërkesën për këtë rezolutë e bëri eurodeputeti kroat Tonino Picula. Në seancën e djeshme, Picula e përshkroi si terrorist sulmin në Banjskë ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

“Ngjarjet e fundit janë evidencë se sa e rrezikshme është situata. Jemi të shqetësuar për sjelljen e Serbisë edhe pas këtyre ngjarjeve“, tha ai, duke shtuar se Bashkimi Europian duhet të vendosë masa të ngjashme ndaj Serbisë siç bëri kundër Kosovës muaj më parë.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, tha se sulmi brutal dëshmon se “nuk mund ta marrim lirinë si të garantuar në Europë”, duke shtuar se lidhjet e terroristit Milan Radoiçiq, që udhëhoqi sulmin, me Beogradin zyrtar janë më se të dukshme.

“Serbia duhet të bashkëpunojë pa kushte në hetim dhe të mbajë përgjegjës të gjithë ata që janë përgjegjës. I bëj thirrje Gjermanisë dhe vendeve të tjera anëtare të BE-së që të dërgojnë forca shtesë në KFOR”, tha ajo.

(Kosova Sot Online)