Szunyog: Kosovarët t’i respektojnë rregullat kur të ndodhë liberalizimi i vizave

  • A.P /
  • 05 October 2023 - 20:28
Szunyog: Kosovarët t’i respektojnë rregullat kur të ndodhë liberalizimi i vizave

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, u ka bërë thirre qytetarëve të Kosovës që pas 1 janarit 2024, kur edhe do të ndodhë liberalizimi i vizave, t’i respektojnë rregullat, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai bashkë me ambasadorin gjerman në Kosovë Joern Rohde, atë të Francës Oliver Guerot dhe të Italisë, Antonello De Riu kanë marrë pjesë në fillimin e fushatën informuese për liberalizimin e vizave.

Szunyog më tej ka shtuar se kosovarët mund ta vizitojnë Evropën e familjarët e tyre, por që nuk kanë të drejtë të punojnë e qëndrojnë gjatë në vendet evropiane.

“Liberalizimi i vizave do të bëhet me 1 janar të vitit të ardhshëm. Kosovarët do të mund të udhëtojnë në Evropë për të parë bukuritë e saj, qytetet evropiane dhe familjarët e tyre”.

“Është e rëndësishme që kampanja ka filluar dhe që t’ju shpjegohet njerëzve çfarë është liberalizimi i vizave dhe çfarë nuk është”.

“Njerëzit duhet ta kuptojnë që ka rregulla. Rregullat duhet të ndiqen. Të gjithë duhet ta kuptojnë se liberalizimi i vizave do të thotë liberalizim i vizave për turistë. Nuk është për qëndrime të gjata, nuk është për punë, as studentë”.


(Kosova Sot Online)