Për shembjen e dheut në lagjen 'Muhaxhirët' gjobitet ndërtuesi

  • A.P /
  • 05 October 2023 - 19:53
Për shembjen e dheut në lagjen 'Muhaxhirët' gjobitet ndërtuesi

Për shembjen e dheut në lagjen “Muhaxhirët” në Prishtinë, Drejtoria e Inspeksionit të Prishtinës ka njoftuar se ka marrë masa ligjore dhe e ka gjobitur kompaninë ndërtuese, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Shembja e dheut sot kishte prekur një parking, ku janë parë pamjet e një veture që ka rënë nga lartësia.
“Sot, rreth orës 11:45, Drejtoria e Inspeksionit ka pranuar njoftimin lidhur me shembjen dheut në lagjen ‘Muhaxhirët’ në mes të rrugëve ‘’ Kaçaniku’’ dhe ‘’Lord Bajron’’. Menjëherë janë angazhuar inspektorët e ndërtimit dhe kanë dalur në vendngjarje për të ndërmarrë veprimet ligjore lidhur me gjendjen shkaktuar, ashtu që, inspektorati i ndërtimit ka konstatuar gjendjen faktike të gropës ndërtimore dhe ka ndërmarrë masat ligjore duke e gjobitur ndërtuesin dhe duke urdhëruar përpilimin e planit për sanimin e gjendjes së shkaktuar si dhe, me Aktvendim për ndërprerje të punëve ka ndaluar të gjitha punët ndërtimore deri në largimin e rrezikut dhe sigurimin e gropës ndërtimore sipas planeve përkatëse të miratuara nga organi kompetent”, ka njoftuar Drejtoria e Inspeksionit.

Drejtoria ka thënë se kundërshton spekulimet se ndërtimi në fjalë ishte bërë pa leje ndërtimore.

“Inspektorati i ndërtimit qysh me dt.10.05.2023 ka zhvilluar procedura inspektuese në rastin në fjalë dhe me procesverbal dt.10.05.2023 ka konstatuar se pala ka filluar punët ndërtimore me leje ndërtimore nr.05-351/02-48172/22 dt.24.04.2023 dhe i njëjti është urdhëruar të respektoj lejen ndërtimore dhe gjithë dokumentacionin burimor të miratuar nga organi kompetent. Drejtoria e Inspeksionit siguron gjithë qytetarët e Kryeqytetit se nuk do të lejojë asnjë ndërtim pa leje në Kryeqytet dhe ndërtuesit e papërgjegjshëm do t`i ndëshkojë me masat më rigoroze sipas ligjeve dhe akteve tjera nënligjore në fuqi”, thuhet nga Drejtoria e Inspeksionit.

(Kosova Sot Online)