Flet gjyshi i 3-vjeçarit i cili ndërroi jetë pas ndërhyrjes tek dentisti

  • A.P /
  • 05 October 2023 - 22:47
Flet gjyshi i 3-vjeçarit i cili ndërroi jetë pas ndërhyrjes tek dentisti

Raportohet se një ngjarje e rëndë, ka ndodhur sot nga Tirana, ku një fëmijë 3 vjeç pretendohet se ka humbur jetën pak ditë pasi iu nënshtrua një ndërhyrje për rregullimin e dhëmbëve, në një klinikë dentare në Rrugën e Kavajës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

 

Djali 3-vjeçar mësohet se është dërguar në klinikë nga familjarët e tij për të mbushur një dhëmb, ndërsa sipas dëshmisë së familjarëve, mjeku i ka bërë grafinë dhe u ka thënë prindërve se fëmija ka nevojë për rregullimin e plot 14 dhëmbëve. Për shkak të numrit të lartë të tyre dhe punës voluminoze është vendosur të ndërhyhet me narkozë.

Mësohet se anestezia është kryer nga vetë mjeku Roland Xhaxho, ndërsa ndërhyrja për dhëmbët është bërë nga Ina Xhaxho, vajza e mjekut, e cila është mjeke stomatologe. Pasi kanë mbaruar ndërhyrjen, djali nuk është zgjuar nga antestezia e përgjitshme dhe sipas familjarëve mjeku u ka thënë që të shkonin në shtëpi se do të zgjohej.

Megjithatë, pasi kanë vënë re se gjendja e fëmijës së tyre po përkeqësohej, ata kanë telefonuar klinikën, por asnjë njeri nuk u është përgjigjur në telefon, prandaj prindërit kanë vendosur ta dërgojnë në pediatri, ku fatkeqësisht pas 3 ditësh në gjendje kome ndërroi jetë. Familjarët e vogëlushit janë paraqitur në komisariatin numër 4 dhe kanë bërë kallëzim për ngjarjen e rëndë, ndërsa gjyshi i vogëlushit, duke folur për mediat, tha se mjekët fshehën ngjarjen.

“Kur e nxorri nga salla, djali ishte në gjendje kome. Neve para se të dilte nga salla, na thoshte se është mirë dhe se puna po ecën mirë. Në orën 7:20 në darkë, neve na thanë se do ta merrni fëmijën. Direkt sa erdhi në shtëpi, iu ngrit temperatura. U bë akull. U zberdh. Morën telefonion doktorin por nuk na e hapi telefonin. E çuam tek Nënë Tereza.”- rrëfen gjyshi fëmijës, ndërsa këmbëngul se dentistët e dinin se nuk do të zgjohej, por e kanë fshehur ngjarjen.

Mjeku dhe stafi i klinikës mësohet se janë marrë në pyetje nga hetuesit, teksa kanë deklaruar se i kanë dhënë sasinë e duhur të ilaçeve e të narkozës fëmijës. Rasti është referuar në prokurori për veprë penale “Mjekim i pakujdesshëm”., ndërsa sipas “Abc News”, Roland dhe Ina Xhaxho janë duke u hetuar në gjendje të lirë.

Policia dhe prokuroria janë në pritje të përgjigjes së autopsisë së vogëlushit 3 vjeçar për të kryer veprimet e mëtejshme hetimore.

(Kosova Sot Online)