Kryeministri Kurti ja bënë bllok opozitës, refuzon të përgjigjet në pyetjet parlamentare: S’po i votoni marrëveshjet ndërkombëtare

  • S.A /
  • 06 October 2023 - 12:24
Kryeministri Kurti ja bënë bllok opozitës, refuzon të përgjigjet  në pyetjet parlamentare: S’po i votoni marrëveshjet ndërkombëtare

Kryeministri Albin Kurti ka refuzuar të përgjigjet në pyetjet parlamentare të deputetëve të opozitës.

Kurti ka “kushtëzuar” opozitën, që nëse duan përgjigje nga ai, t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare të cilat janë duke u bartur nga seanca në seancë, transmeton "Kosova Sot Online".

Pyetja atij iu drejtua nga deputetja e AAK’së, Time Kadriaj, e cila e pyeti për vizitat në Greqi.

“Për shkak se nuk po i votoni marrëveshjet ndërkombëtare, të gjithë deputetët që i bëjnë pyetjet, nuk do ta kenë përgjigjen time edhe pse e kam tashmë të përgatitur. Duhet të jemi koleg të të njëjtit shtet, e jemi të të njejtit shtet, nëse bëhet fjalë për mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesit publik e shtetëror.”, ka thënë Kurti në Kuvendin e Kosovës.

Tutje, Kurti ka thënë se në kohën kur ai ka qenë në opozitë, vetëm tri nuk i ka votuar partia e tij.

“Nuk ka pasur kryeministër në Kosovën e pavarur që është përgjigjur më shpesh dhe më me përpikëri pyetjeve parlamentare. Nga 377 marrëveshje ndërkombëtare që kur unë isha opozitë parlamentare këtu, vetëm tri prej tyre nuk janë votuar. 374 janë votuar. Rrjedhimisht, atëherë kur do të jeni deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, vetëm atëherë unë do të përgjigjem në pyetje parlamentare sepse sigurohem që bëhet fjalë për parlamentin e Republikës së Kosovës. Nuk mund t’i bësh pyetje parlamentare kryeministrit dhe ta dëmtojshë shtetin në masën e përgjithshme  360 milionë euro nga ajo një dyzinë e marrëveshjeve ndërkombëtare të cilët ju refuzoni t’i votoni…  Prandaj, me keqardhje unë nuk mund të përgjigjem në pyetjet parlamentare që nuk vijnë nga ky parlament”, ka deklaruar Kurti.

(Kosova Sot Online )