Në mesin e 30 personave që kërkuan ndihmë mjekësore në Mitrovicë, dhjetë janë nxënës – mbyllet lokali ku dyshohet se u helmuan

  • E.K /
  • 07 October 2023 - 09:43
Në mesin e 30 personave që kërkuan ndihmë mjekësore në Mitrovicë, dhjetë janë nxënës – mbyllet lokali ku dyshohet se u helmuan

Policia e Kosovës ka bërë me dije se në mesin e 30 personave që dyshohet se u helmuan nga ushqimi në një lokal në Mitrovicë, 10 janë nxënës, përcjell “Kosova Sot Online”

Në raport thuhet se pas tretmanit mjekësor, nxënësit janë liruar nga spitali, derisa lokali është mbyllur nga inspektorët komunal.

“PRODHIM DHE VËNIE NË QARKULLIM TË ARTIKUJVE TË DËMSHËM USHQIMOR – Mitrovicë Jugu 06.10.2023-19:10. Raportohet se 10 nxënës kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Mitrovicës pasi që, janë helmuar nga ushqimi që kanë ngrënë në një lokal. Të njëjtit pas pranimit të tretmanit mjekësor janë liruar, ndërsa lokali është mbyllur nga inspektorët komunal”, thuhet në raport.

Për këtë rast, ka reaguar mbrëmë edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës. Sipas AUV, në qytetin e Mitrovicës 30 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi dyshohet se janë helmuar nga ushqimi në një dyqan të përgatitjes së ushqimit të shpejtë.

Nga informacionet e marra nga të helmuarit, është mësuar se operatori ekonomik ku kanë marrë ushqim ka qenë “On Top Food” në qytetin e Mitrovicës.

Në komunikatë tregohet se janë marrë mostrat në ambientet e përgatitjes, duart e kuzhinierit dhe në produktet që kanë ofruar dhe se lokali do të mbetet i mbyllur deri në nxjerrjen e analizave finale.

Njoftimi i plotë i AUV:

Pas lajmërimit nga IKSHPK zyra në Mitrovicë se disa paciente kanë kërkuar ndihmë mjekësore nën dyshimin për helmim me ushqim. Inspektorët Sanitarë të AUV-së në Mitrovicë menjëherë kanë dalë në raste bashkë me Policinë. Fillimisht janë vizituar pacientet në Emergjencën e spitalit në Mitrovicë. Nga pacientet e shtrirë është marrë informata për emrin dhe adresën lokalit gastronomik ku janë shërbyer me ushqime. Ndërsa nga ekipi mjekësore janë marrë të dhënat mbi anamnezën e të shtrirëve, shenjat klinike për dyshimet në helmim. Inspektorët bashkë me Policë kanë nisur inspektimin në lokalin gastronomik të ushqimeve të shpejta ‘’ On Top Food’’ Rr. Skënderbeu Mitrovicë.

Hapi i parë është ndaluar puna dhe ka nisur kontrolli i detajuar i të gjitha hapësirave dhe mjeteve të kuzhinës. Janë evidentuar të gjitha informata mbi procesin e punës dhe gatimit. Kryesisht ushqimet e gatuara kanë qen: Hamburger, doner, tost etj. Përgatitja e mishit shkrirja në vaskë, deri të gatimi i final është bërë aty për disa produkte, disa të tjera janë furnizim nga mishtorja. Gjendja higjienike- sanitare në momentin e inspektimit nuk ka qen e mirë. Sidomos në hapësirën e përgatitjes se mishit për doner. Nuk ka ofruar dëshmi për pajisjen e stafit me libreza sanitare dhe nuk është kryer DDD.

Janë marrë strishot nga mjetet e punës, tavolinat e shërbimit, pjata e servimit dhe duart e kuzhinierit. Janë marrë mostra të produkteve ushqime: doner, pleskavicë, sallatë majoneza dhe sosa. Të gjitha mostrat janë përgatitur sipas procedurës standarde për dërgim në laborator. Lokali është mbyllur përkohësisht deri në nxjerrje të rezultateve të analizave laboratorike. Janë vizituar përsëri pacientet për të parë gjendjen shëndetësore. Të gjithë pacientet deri me tani (30) qe kanë marrë trajtim mjekësorë janë liruar për shtëpi. Jemi duke monitoruar situatën mbi gjendjen e shëndetësore të pacienteve.

Ndaj operatorit ekonomik do të ndërmerren të gjitha masat ligjore konformë të gjeturave përfundimtare raporteve të analizave laboratorike. Jemi ende në teren bashkë me mekanizmat tjerë shtetërorë, për të marrë veprimet të nevojshme për mbrojtjeje të shëndetit të qytetareve.

(Kosova Sot Online)