Sveçla: Letërnjoftimin dhe veturën e bashkëpunëtorit të djalit të Vuçiqit i gjetëm në vendin ku u sulmua policia

  • A.P /
  • 08 October 2023 - 17:30
Sveçla: Letërnjoftimin dhe veturën e bashkëpunëtorit të djalit të Vuçiqit i gjetëm në vendin ku u sulmua policia

Në vendin ku grupi terrorist e sulmoi Policinë e Kosovës para dy jave, kemi gjetur dokumentin personal dhe veturën e Milorad Jevtiq, i cili njihet si bashkëpunëtor i afërt i Danilo Vuçiq, djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sveçla theksoi se në 5 vizitat e fundit të djalit të Vuçiqit në Kosovë, ai kishte qenë me atë veturë.

“Në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur sulmi, njësitet policore kanë gjetur dokumentin personal dhe veturën e Milorad Jevtic gjë që dëshmon se ai ka qenë në njësitin që kanë sulmuar Policinë e Kosovës. Terroristi Milorad Jevtic njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danilo Vuciq, djalit të presidentit serb Aleksandar Vuciq. Nga 5 vizitat e fundit të djalit të Vuciqit në Kosovë, 4 herë ata kanë qenë bashkë në të njejtën veturë”, shkroi Sveçla në Facebook.

Milorad Jevtiq, thotë ministri, “është identifikuar edhe si njëri ndër sulmuesit e ushtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan”.

Sveçla tha se “mbetet që organet e sigurisë dhe hetimet të zbulojnë se përveç Vuçiqit dhe strukturave të larta shtetërore serbe, a ka qenë edhe djali i tij në planifikimin dhe organizimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit”.

“Dy javë pas sulmit terrorist në Banjska, vijojmë me zbardhjen e fakteve që vërtetojnë lidhjen direkte të Serbisë në organizimin dhe realizimin e këtij sulmi”, shkroi Sveçla.

(Kosova Sot Online)