Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj edukatores dhe kuzhinieres për keqtrajtim të fëmijës në çerdhen e Fushë-Kosovës

  • A.P /
  • 09 October 2023 - 20:30
Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj edukatores dhe kuzhinieres për keqtrajtim të fëmijës në çerdhen e Fushë-Kosovës

Pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, Prokuroria Themelore në Prishtinë,  ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurave N.M. dhe N.H., për shkak të veprave penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas aktakuzës, të pandehurat, në cilësinë e personave zyrtar, konkretisht staf i angazhuar në  Institucionin Parashkollor “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë, kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, duke e keqtrajtuar të dëmtuarin e mitur brenda hapësirave të këtij institucioni, ku si pasojë e këtyre veprimeve të njëjtat kanë kryer veprat penale të lartcekura.

Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurat të shpallen fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.

Po ashtu, më herët Inspektorati i Arsimit ka vendour masë disiplinore ndaj drejtoreshës së çerdhes “Gëzimi Ynë”.

“Inspektorati i Arsimit obligon Drejtorinë Komunale të arsimit në Kosovë që të merr masa disiplinore ndaj drejtoreshës së Institucionit parashkollor “Gëzimi Ynë”, në Fushë Kosovë, e cila nuk ka vepruar me kohë për rastin në fjalë”, ka thënë këshilltarja për media në MASHTI, Edona Kutleshi-Maliqaj.

(Kosova Sot Online)