Ja kush paralajmëron SHBA-në të mos ndërhyjnë në luftën e Gazës

  • A.P /
  • 10 October 2023 - 18:46
Ja kush paralajmëron SHBA-në të mos ndërhyjnë në luftën e Gazës

Udhëheqja Houthi e Jemenit dhe një politikan i lartë irakian u rreshtuan sot me Iranin dhe grupet e armatosura që kërcënuan të godasin interesat e SHBA-së në rajon nëse SHBA-ja mbështet Izraelin në luftën e tij me Hamasin në Rripin e Gazës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Paralajmërimet vijnë pasi Shtetet e Bashkuara kanë shprehur tashmë mbështetje të fortë për Izraelin dhe janë zotuar të ofrojnë ndihmë ushtarake shtesë për vendin dhe të ndërtojnë një forcë detare në Mesdheun Lindor.

Në Jemen, udhëheqësi i lëvizjes së fuqishme shiite Houthi paralajmëroi se organizata e tij do t’i “përgjigjej” çdo ndërhyrjeje të SHBA-së në Gaza me dronë, raketa dhe mjete të tjera ushtarake. Ai shtoi se grupi është i gatshëm të koordinojë veprimet e tij me anëtarët e tjerë të të ashtuquajturit “Boshti i Rezistencës” që përfshin grupe shiite, të mbështetura nga Irani në Irak dhe Hezbollahun e Libanit.

Houthi-t kanë luftuar kundër një koalicioni ndërkombëtar të udhëhequr nga Arabia Saudite që nga viti 2015 dhe kanë shënjestruar vazhdimisht objektet e energjisë në atë vend. Për rreth një vit tani, ndërsa negociatat e paqes përparojnë, situata në Jemen ka qenë relativisht e qetë.

Në Irak, Hadi Al Amiri, një figurë e fuqishme politike në Iran, kërcënoi gjithashtu, duke folur në një tubim në kryeqytetin Bagdad, se do të synonte interesat amerikane. “Nëse SHBA ndërhyn ne do të ndërhyjmë… Nëse amerikanët ndërhyjnë hapur në këtë konflikt, ne do t’i konsiderojmë të gjitha objektivat amerikane legjitime, dhe nuk do të hezitojmë t’i shënjestrojmë,” tha ai.

Al-Amiri kryeson Organizatën Badr, një koalicion politik shiit i mbështetur nga Irani që përfshin një pjesë të madhe të Forcave të Mobilizimit Popullor (PMF), organizatë paraushtarake që përfshin gjithashtu shumë grupe të mbështetura nga Irani. PMF ka shprehur tashmë “mbështetjen e saj të qartë” për organizatat palestineze që luftojnë Izraelin dhe qeveria irakiane ka deklaruar se operacionet palestineze ishin një pasojë e natyrshme e politikës “shtypëse” të Izraelit.

Në të kaluarën, grupet paraushtarake në Irak shpesh synonin forcat amerikane dhe ambasadën amerikane në Bagdad me raketa, por këto sulme janë ndalur për rreth një vit.

Shtetet e Bashkuara aktualisht kanë 2,500 trupa në Irak dhe 900 të tjera në Siri, me një mision për të këshilluar dhe ndihmuar forcat lokale që luftojnë Shtetin Islamik.

(Kosova Sot Online)