Osmani takon kryeministrin kroat, i tregon atij për sulmin terrorist të 24 shtatorit

  • A.P /
  • 10 October 2023 - 20:00
Osmani takon kryeministrin kroat, i tregon atij për sulmin terrorist të 24 shtatorit

Në kuadër të vizitës dy ditore zyrtare në Kroaci, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në raport me zhvillimet e fundit në Kosovë, Presidentja Osmani ka theksuar se më 24 shtator, në Banjskë, Serbia ka kryer sulm terrorist dhe akt agresioni ndaj Kosovës me qëllim të aneksimit të veriut të Kosovës dhe destabilizimit të tërë rajonit. Prandaj, në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka potencuar rëndësinë e mbajtjes së Serbisë përgjegjëse për aktin e saj të agresionit kundër Republikës së Kosovës.

Presidentja Osmani ka theksuar se në mënyrë që paqja të jetë e mundur në rajon, Serbia duhet t’i tërheq trupat ushtarake nga kufiri me Kosovën, ngase përbëjnë rrezik për paqen dhe stabilitetin. Për më tepër, ajo ka diskutuar me kryeministrin kroat edhe për provat e mbledhura nga policia e Kosovës që e lidhin drejtpërdrejt Serbinë me këtë sulm si dhe për bashkëpunimin e institucioneve të sigurisë me aleatët tanë në mënyrë që të parandalohet agjenda destabilizuese e Serbisë.

Në këtë takim, ndër të tjera, Presidentja Osmani ka falënderuar kryeministrin Plenković për kontributin e ushtarëve kroatë në misionin e KFOR-it në Kosovë dhe bashkëpunimin bilateral ne fushën e mbrojtjes mes Kosovës dhe Kroacisë teksa kanë diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në këtë fushë.

Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka prioritet shtetëror anëtarësimin në NATO edhe për shkak të sfidave të sigurisë me të cilat ballafaqohet rajoni ynë, ndërkaq potencoi edhe rëndësinë e avancimit me anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës e në Bashkimin Evropian si dhe organizma të tjerë ndërkombëtar.


(Kosova Sot Online)