Glauk Konjufca: Gjermania mbetet partner i pazëvendësueshëm për Kosovën

  • E.K /
  • 11 October 2023 - 10:13
Glauk Konjufca: Gjermania mbetet partner i pazëvendësueshëm për Kosovën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në kuadër të vizitës së tij në Gjermani është takuar me Anton Hofreiter, Kryetarin e Komisionit për Çështjet Evropiane në Bundestagun Gjerman, përcjell “Kosova Sot Online”.

Ai ka njoftuar se me anëtarë të tjerë të këtij komisioni patën mundësi të shkëmbenim perspektivat rreth çështjeve të interesit të përbashkët.

“Në takimin me z. Anton Hofreiter, Kryetarin e Komisionit për Çështjet Evropiane në Bundestagun Gjerman, si dhe me anëtarë të tjerë të këtij komisioni patëm mundësi të shkëmbenim perspektivat rreth çështjeve të interesit të përbashkët.

Z. Hofreiter e falënderova për mikëpritjen dhe i shpreha mirënjohje për kontributin e tij, të komisionit që drejton dhe të shtetit gjerman ndaj Republikës së Kosovës, veçanërisht në çështjet e proceseve integruese evropiane, ekonomisë dhe energjisë së qëndrueshme dhe liberalizimit të vizave.

Gjithnjë të hapur për thellimin e bashkëpunimit me Gjermaninë, partnerit tonë të pazëvendësueshëm, me një rol qendror në Bashkimin Evropian ku vendi ynë natyrshëm dhe pashmangshëm aspiron të integrohet”, ka shkruar Konjufca.

(Kosova Sot Online)