Qeveria Kurti del me njoftim për mbajtjen e zgjedhjeve në veri

  • A.P /
  • 13 October 2023 - 20:10
Qeveria Kurti del me njoftim për mbajtjen e zgjedhjeve në veri

Qeveria e Kosovës tha se mbështet mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës, në bazë të kornizës ligjore që ka ofruar.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i tha Radios Evropa e Lirë se udhëzimi administrativ i publikuar në shtator është rezultat i zotimeve të ekzekutivit kosovar për shtensionimin e situatës në veri, “por edhe reflektim i bindjes sonë se zgjedhjet e reja atje duhet të nxiten nga vullneti demokratik dhe burimor i qytetarëve”.

“Qeveria nuk shpall dhe nuk organizon zgjedhje. Megjithatë i mbështet ato. E konsiderojmë jashtëzakonisht të rëndësishme që fushata e zgjedhjeve të ardhshme të jetë e hapur dhe fer, dhe zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike. Pjesëmarrja e qytetarëve serbë të Kosovës është kruciale”, tha Kryeziu, duke komentuar kërkesën e Listës Serbe që zgjedhjet në veri të shpallen.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – njoftoi më 13 tetor se është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet në komunat në veri.

(Kosova Sot Online)