Kurti flet për raportet me Shqipërinë: Dy republika, një komb

  • A.P /
  • 13 October 2023 - 21:03
Kurti flet për raportet me Shqipërinë: Dy republika, një komb

Avancimin e raporteve mes Kosovës dhe Shqipërisë në shumë fusha, gjatë periudhës sa ai është në qeverisje, kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar si shumë të suksesshme, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Kurti ka thënë se për dy vjet e gjysmë, sa është ai në qeverisje, janë bërë 58 marrëveshje bilaterale mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Dy republika, një komb. Dy vjet e gjysmë, 58 marrëveshje bilaterale, me një qëllim: më shumë përfitime për qytetarët, më shumë për ekonominë”, ka shkruar Kurti.

Si sukses në avancimin e raporteve mes dy shteteve ai ka përmendur hapjen e vendkalimeve kufitare.

“Për mbi 200 mijë banorët e brezit tonë të përbashkët kufitar mundësuam lëvizje e lirë duke funksionalizuar 26 vendkalime të veçanta. Kurse për të gjithë, mundësuam kalimin e lirë e pa kontrolle të kufijve gjatë muajve të verës, fundjavave dhe ditëve të pushimeve zyrtare. Aktualisht jemi afër jetësimit të kalimit të lirë e pa kontrolle çdo ditë të vitit”.

Ai thotë se në aspektin e lëvizjes së qytetarëve janë larguar edhe shumë barriera administrative.

“Krahas lëvizjes nga njëri shtet në tjetrin, lehtësuam edhe qëndrim te njëri dhe tjetri shtet, sepse thjeshtuam procedurat për pajisjen me leje qëndrimi, me afat 5 vjeçar. Hoqëm edhe detyrimin për apostilim të dokumenteve administrative”.

Kurti thotë se Kosova përmes Portit të Durrësit fitoi qasje në det derisa u ndihmuan bizneset.

Me dy zyra doganore të Republikës së Kosovës në Durrës dhe Porto Romano, fituam qasje në det. Aty bëhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën. Kjo u ka ndihmuar drejtpërdrejt bizneseve tona që tashmë kanë kursyer nëntë milionë euro, në të njëjtën kohë që edhe ekonomia e Shqipërisë ka përfituar nga rritje me 50% e dërgesave të Kosovës përmes Portit të Durrësit”.

Ai poashtu ka përmendur rritjen e shkëmbimeve tregtare mes vendeve.

“Sivjet shkëmbimet tona tregtare janë më të lartat ndonjëherë, teksa ka edhe tre muaj tjerë deri në përfundim të vitit financiar. Investimet e Shqipërisë në Kosovë gjithashtu janë më të lartat ndonjëherë. Në vitin 2019, ato ishin vetëm 15.2 milion euro, kurse në vitin 2022, u pesëfishuan duke arritur vlerë 79.7 milionë euro”.

I pari i Qeverisë si avancim të raporteve me Shqipërinë përmend projektin e hekurudhës Durrës-Prishtinë.

“Kemi nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë, që është ndër projektet më të mëdha e më të rëndësishme, si në aspektin ekonomik ashtu edhe kombëtar. Ajo do ta lidhë Kosovën me korridoret, që kalojnë pranë nesh, por nuk janë të lidhura me ne. Do t’i bashkojë edhe më fort ekonomitë tona dhe do të rrisë lëvizshmërinë dhe lidhshmërinë ndërmjet republikave tona”.

Në fund, por jo nga rëndësia, ai ka përmendur edhe unifikimin e abetares.

“Ndërkohë që krahas unifikimit të abetares për nxënësit e klasës së parë, njësuam edhe procedurat për aplikim dhe regjistrim të studentëve në universitete, si dhe nisëm punën madhore për Enciklopedinë Shqiptare”.

“Shumë është bërë. Edhe më shumë duhet bërë”, ka shkruar në fund të shënimit të tij kryeministri Albin Kurti.

(Kosova Sot Online)