Vritet një gazetar, plagosen 6 nga bombardimet izraelite

  • A.P /
  • 13 October 2023 - 21:25
Vritet një gazetar, plagosen 6 nga bombardimet izraelite

Një predhë e lëshuar nga Izraeli ra mbi një grup gazetarësh ndërkombëtarë që po mbulonin përplasjet përgjatë kufirit në Libanin jugore, duke lënë të vdekur një video-gazetar të agjencisë së lajmeve Reuters dhe duke plagosur gjashtë gazetarë të tjerë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Një fotograf i agjencisë Associated Press në vendin e ngjarjes pa trupin e video-gazetarit Issam Abdallah dhe të gjashtë të plagosurve, disa prej të cilëve u dërguan me urgjencë në spital. Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë një makinë të djegur.

“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se video-gazetari ynë, Issam Abdallah, është vrarë,” njoftoi agjencia e lajmeve Reuters me një deklaratë. Agjencia konfirmoi se zoti Abdallah ishte pjesë e ekipit të Reutersit në pjesën jugore të Libanit, që po transmetonte drejtpërdrejt.

Agjencia Reuters tha se dy nga gazetarët e saj, Thaer Al-Sudani dhe Maher Nazeh, janë plagosur nga bombardimet përgjatë zonës kufitare.

Televizioni Al-Jazeera me seli në Katar, tha se dy pjesëtarë të tij, Elie Brakhya dhe gazetarja Carmen Joukhadar, janë në mesin e të plagosurve.

“Po kërkojmë me urgjencë informacion shtesë, po punojmë me autoritetet në atë zonë dhe po mbështesim familjen e Issamit dhe kolegët e tij,” deklaroi agjencia Reuters. “Ngushëllimet më të sinqerta për të gjithë ata që janë prekur dhe lutjet tona janë me familjet e tyre gjatë kësaj periudhe të tmerrshme.”

Bombardimi ndodhi gjatë një shkëmbimi të zjarrit përgjatë kufirit ndërmjet Libanit dhe Izraelit mes forcave izraelite dhe pjesëtarëve të grupit militant Hezbollah në Liban.

Që nga e shtuna, kur Hamasi sulmoi Izraelin, në kufirin mes Izraelit dhe Libanit ka pasur akte sporadike dhune.

Gazetarë nga e gjithë bota janë nisur drejt Libanit për shkak të mundësisë së shpërthimit të luftës ndërmjet Hezbollahut dhe Izraelit.

(Kosova Sot Online)