Gjykimi ndaj Qëndrim Januzit, neuropsikiatri thotë se duhet t’i nënshtrohet një “ekspertimi detaj psikiatrik”

  • S.A /
  • 14 October 2023 - 09:08
Gjykimi ndaj Qëndrim Januzit, neuropsikiatri thotë se duhet t’i nënshtrohet një “ekspertimi detaj psikiatrik”

Me dëgjimin e neuropsikiatrit Fahri Drevinja, ka vazhduar gjykimi ndaj të akuzuarit Qëndrim Januzi, i cili ngarkohet se privoi nga jeta G.H, më 28 maj 2022, me pretendimin se i njëjti ia kishte djegur një veturë vëllait të tij. “I pandehuri Qëndrim Januzi ka qenë në një vizitë të shkurtë ambulatore, i njëjti nuk ka pas disponim të mirë, emocionalisht ka qenë labil dhe nuk ka pas vullnet që të arrijë diçka”, tha neuropsikiatri Fahri Drevinja, transmeton "Kosova Sot Online".

I njëjti tha se për të pandehurin kishte dhënë një diagnozë të quajtur çrregullim i personalitetit kufitar-tablo i disponimit depresiv.

“Në lidhje me këtë diagnozë për të konstatuar më saktë se kjo diagnozë a ka qenë evidente apo ka qenë vetëm një tablo e kësaj diagnoze gjatë vizitës ambulatore, unë mendoj që i pandehuri duhet nënshtruar një ekspertimi më detaj nga ekspertët e IPFK-së”, ka propozuar Drevinja

Këto deklarime, i njëjti i bëri të premten në Gjykatën Themelore në Ferizaj, raporton “Betimi për Drejtësi”

Drevinja poashtu tha se terapia që i kishte caktuar tani të akuzuarit kishte qenë për gjendjen e tij dhe ishte trajtuar me antidepresiv kundër ankthit.

“Personat të cilët dalin në ora 22:00, 00:00, 01:00, deri mas ores 03:00 nuk kthehen në shtëpi, zakonisht kanë dyshime për përdorim të substancave psikoaktive, droga apo diçka tjetër” ka thënë tutje Dr.Drevinja

Prokurori Ismet Rrahmani e ka pyetur Dr.Drevinja, pasiqë në raportin e tij shkruan “terapia e rregullt, kontrolla pas 4 javësh”, a ishte përmbajtur i akuzuari rekomandimeve dhe a kishte përsëritur kontrollën, dr.Drevinja tha se i pandehuri nuk kishte shkuar më për vizitë.

Tutje në këtë gjykim u dëgjua edhe dëshmitari Besnik Berisha, i njëjti deklaroi se të akuzuarin dhe tani të ndjerin i kishte shok.

“Natë kritike m’ka thirr Qëndrimi, m’ka vet ku je, unë kam qenë afër në një kafiteri të quajtur Bablion, pasi kemi fol në telefon pas 10-15 minutave kemi dëgjuar krisma”, tha dëshmitari Berisha

Dëshmitari Berisha tha se sipas tij kjo ngjarje është nisur pasiqë është djegur vetura e Qëndrimit.

“Ka pas raste kur Qëndrimi m’ka tregu rreth problemeve të tij, me sa e di unë momenti kur është nisë kjo ngjarje ka qenë djegia e veturës së Qëndrimit, dhe mesa e di unë që kur Qëndrimi e ka lajmëru rastin në polici aty ka filluar konflikti, konkretisht Gazmendi i ka marrë inat Qëndrimit”, tha dëshmitari Berisha

Dëshmitari Berisha shtoi se konkretisht Gazmendi i kishte thënë se do të kishte problem me të pasiqë e ka dërguar në polici, pasi që kishte thënë se nuk ia kishte djegur veturën.

Dëshmitari Berisha tha se e dinte që Qëndrimi e kishte dërguar një shok me emër Vahid me qëllim që ky të ndërmjetësojë për t’u pajtuar mirëpo nuk kishte pajtuar tani i ndjeri.

“Besniki kur ka fol me Gazmendin, Gazmendi i ka thanë që Qëndrimi ka hec përpara mu m’ka lanë përmas po s’ka me hec edhe gat, kanë me pa çka ka me ju bo, a u kon qeshtu?”, ka shtuar ai.

Dëshmitari Berisha tha se i akuzuari kishte pas vazhdimisht kërcënime nga tani i ndjeri G.

Poashtu, në këtë seancë u dëgjua edhe dëshmitari Rinor Zymberi, i njëjti ka përshkruar ditën kritike.

“Më kujtohet dita kritike, ka qenë ditë e zakonshme, jena nisë për koncert në Prizren, unë kam qenë shoqërues i këngëtarit Betim Januzi-Buta, pas koncertit jena kthy në Ferizaj, ku me të arritur te banesa e Qëndrimit konkretisht te hyrja e prkingut të ndërtesës, aty në të kaluar kemi takuar tani të ndjerin, Qëndrimi më ka thënë, qe Gazmendi t’u u sillë te banesa, unë i dha duke vozitur e kam futur makinën në parkingun e banesës ku në veturë isha unë Qëndrimi dhe Betimi, këta të dy kanë vazhduar tek banesa e tyre ndërsa unë në shtëpinë time” rrëfeu dëshmitari Zymberi

I njëjti tha se personalisht nuk e kishte njohur tani të ndjerin G., mirëpo Qëndrimi i kishte treguar se i njëjti po e kërcënonte në mënyra të ndryshme.

Tutje, është dëgjuar edhe dëshmitari Labinot Lalinovci i cili i kishte pas shokë të akuzuarin Qëndrimin dhe të ndjerin Gazmendin.

“Unë i kam njohur të dy, kemi qenë në fitnes bashkë… e kam parë të ndjerin duke pirë kafe me disa persona, ka dal m’ka fol m’tha nuk mujta me t’fol se keve me Qëndrimin, poashtu m’tha është mirë mos me nejt me Qëndrimin se jam në bala me të dhe s’kam qef me qellu ti aty kur të ndodh naj sen…” rrëfeu dëshmitari Lalinovci

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Florim Vërtopi ka propozuar gjykatës të lejojë zbatimin e ekzaminimit psikiatrik në IPFK për të vërtetuar që Qëndrim Januzi në ditën kritike ka qenë në gjendje të paaftësisë mendore ose a ka qenë në gjendje të aftësisë së zvogëluar mendore apo në gjendje të tronditjes së fort mendore.

Dhe poashtu, propozoi që në cilësi të dëshmitarëve të ftohen për t’u dëgjuar dëshmitarët Vahid Istrefi, Elion Jahiri, Ergent Jahiri, Agon Zeqiri dhe Agon Rexhepi.

Këto propozime i ka kundërshtuar prokurori Ismet Rrahmani dhe avokati Bekim Sylejmani

Kryetari i trupit gjykues, Habib Zeqiri vendosi që të aprovohet propozimi avokatit Vërtopi që të urdhërohet ekzaminimi psikiatrik i të pandehurit në IPFK në Prishtinë, ndërsa ka refuzuar propozimin e avokatit Vërtopi për dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar si më lartë.

Seanca është shtyrë për kohë të papërcaktuar.

Sipas aktakuzës më 28 maj 2022, rreth orës 00:53, në Ferizaj, në rrugën “Rexhep Bislimi”, përkatësisht para hyrjes së marketit “Euro Market”, i pandehuri Qëndrim Januzi, me dashje dhe përgatitje paraprake kishte privuar nga jeta tani të ndjerin G.H dhe me atë rast kishte vënë në rrezik edhe jetën e Maliq Latifit, i cili kishte qenë para hyrjes së marketit si dhe të personave tjerë brenda në market.

Në aktakuzë, thuhet se pas një mosmarrëveshje të mëhershme lidhur me një veturë të vëllait të tani të panndehurit për të cilën i pandehuri ka pretenduar se i është djegur nga ana e tani të ndjerit, me të takuar tani të ndjerin ka shtënë gjashtë herë në drejtim të tij me armë zjarri dhe si pasojë e të shtënave nga plagët e marra, G.H ndërron jetë siç ishte konstatuar në raportin e autopsisë të datës 22 gusht 2022, me të cilin konstatohet shkaku i vdekjes, e cila kishte ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 të Kodit Penal.

Sipas dispozitivit II të kësaj aktakuze, i pandehuri po akuzohet se nga koha e pacaktuar e deri më 28 maj 2022, në Ferizaj, i pandehuri Januzi pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka poseduar armën e markës “SAUER model 38H”, me një karikator me kapacitet prej 8 fishekëve, me të cilën armë kishte kryer veprën penale të përshkruar si në dispozitivin e I të kësaj aktakuze, ku e njëjta është sekuestruar.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal.

(Kosova Sot Online )