Janjiq: Vuçiq u zbut karshi Kosovës, që ta largojë vëmendjen e ndërkombëtarëve për sulmin terrorist të Banjskës

  • E.K /
  • 16 October 2023 - 13:23
Janjiq: Vuçiq u zbut karshi Kosovës, që ta largojë vëmendjen e ndërkombëtarëve për sulmin terrorist të Banjskës

Analisti politik Dushan Janjiq tha sot se presidenti serb Aleksandar Vuçiq e ftoi Listën Serbe që të marrë pjesë pa kushte në zgjedhje vetëm për të shmangur përgjegjësinë për një numër të madh vendimesh të gabuara në vitin e kaluar.

Janjiq ka thënë për agjencinë Beta se thirrja e Vuçiqit për të shkuar në zgjedhje është një tjetër në vargun e lëvizjeve të gabuara sepse, siç tha ai, Vuçiq nuk do të përballet me gabimin dhe pasojat kur tërhiqte serbët nga institucionet e Kosovës.

“Qëllimi i Vuçiqit është të largojë vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare nga procesi kundër Milan Radoiçiqit, e gjithë kjo në dëm të popullit serb në veri të Kosovës”, ka vlerësuar Janjiq.

Vuçiq tani është i gatshëm të bëjë çdo lëshim ndaj Albin Kurtit, tha ai, përderisa nuk diskutohet për fajin e tij për ngjarjet tragjike në Banjskë të 24 shtatorit.

“Serbët në Kosovë janë shumë të shqetësuar dhe të zhgënjyer sepse e kuptuan se Beogradi nuk ka më asnjë përgjigje dhe fuqi për t’u ofruar atyre ndonjë ndihmë. Lista Serbe nuk është më një lojtar politik. Tani do të ishte mirë që serbët në Kosovë të zgjidhnin përfaqësues të rinj politikë, të cilët nuk janë të përfshirë në krim dhe në Beograd”, ka përfunduar Janjiq.

(Kosova Sot Online)