Kurti: 25 vjet pas fushatës gjenocidale, Kosova ende kërcënohet me invazion nga Serbia

  • E.K /
  • 16 October 2023 - 15:49
Kurti: 25 vjet pas fushatës gjenocidale, Kosova ende kërcënohet me invazion nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Samitin e sotëm të Procesit të Berlinit që po zhvillohet në Tiranë, ka folur për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit në veriun e Kosovës, përcjell “Kosova Sot Online”.

Kurti zgjodhi të fliste për “aktin e ligë të sponsorizuar nga Serbia”.

Pasi e falënderoi kryeministrin shqiptar, Edi Rama dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz për organizimin e këtij samiti, Kurti nisi të tregojë për kërcënimin e Serbisë me luftë ndaj Kosovës.

“Në një sulm terrorist kundër Kosovës më 24 shtator, një nga zyrtarët tanë policorë u vra, por autorët akoma enden të lirë në Serbi edhe pse publikisht e pranuan përfshirjen e tyre. Ky ishte një akt i ligë sponsorizuar nga Serbia, siç tregojnë provat e pakundërshtueshme. Ne kemi konfiskuar mbi 5 milionë euro armatim të sofistikuar dhe municione të prodhuara në Kragujevc dhe Çaçak. Katër herë në dy vitet e fundit Serbia ka sjellë ushtrinë e saj në kufirin tonë”, tha Kurti.

“Edhe njëzet e pesë vite pas fushatës gjenocidale, dhe pas kaq shumë raundeve të dialogut, Kosova ende kërcënohet me invazion nga Serbia. Ky moment na kërkon të reflektojmë dhe të mos e vazhdojmë punën si zakonisht. Një akt i tillë nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)