Scholz nga Tirana dënon ashpër sulmin terrorist në Banjskë

  • A.P /
  • 16 October 2023 - 19:54
Scholz nga Tirana dënon ashpër sulmin terrorist në Banjskë

Në përfundim të samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, kancelari gjerman Olaf Scholz, e ka dënuar ashpër sulmin terrorist  të 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai ka thënë se më këtë ka marrë një goditje të rëndë rajoni.

“Morëm një goditje në rajon. Para disa javëve policët e Kosovës u sulmuan në mënyrë brutale, dhe një polic u vra. E dënojmë në mënyrë më të ashpër këtë gjë”,  tha Scholz

Ai po ashtu tha se edhe në Samitin e Tiranës e ka bërë të qartë edhe njëherë se duhet të ketë bashkëpunim rajonal dhe të zgjidhen konfliktet e kaluara.


“Duhet përmirësim konkret e i prekshëm, duhen marrëveshje që lehtësojnë jetën e përditshme, që bashkojnë qytetarët, e që është me rëndësi, marrëveshje që rrisin besimin e ndërsjellë”, tha ai.

Sipas tij, procesi i Berlinit nga viti 2014 po kryen këtë detyrë.

Ai ka thënë se Samiti i radhës në kuadër të Procesit të Berlinit vitin e ardhshëm do të mbahet në Gjermani dhe ka falënderuar Shqipërinë për organizimin e Samitit të së hënës.


(Kosova Sot Online)