Paralajmërimi nga Holanda, Rama tregon çfarë iu tha Rutte Kurtit e Bërnabiqit

  • S.A /
  • 17 October 2023 - 12:44
Paralajmërimi nga Holanda, Rama tregon çfarë iu tha Rutte Kurtit e Bërnabiqit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tregoi një bisedë nga dreka e punës në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit dje, ku kryeministri i Holandës, Mark Rutte kishte diçka për t’iu thënë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, transmeton "Kosova Sot Online".

Rama tha se Rutte ua rikujtoi të dyve se mund të humbasin shumë nëse nuk arrijnë kompromis.

“Dje kemi pasur një bisedë të hapur informale në drekën e punës me të gjithë liderët, përfshirë dy kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë. Dhe unë dua të sjell këtu i paautorizuar, por nuk besoj se ka problem, një fjalë të thënë nga kryeministri i Holandës, Mark Rutte ku iu drejtua të dyve: Mos harroni kurrë që një kompromis më shumë sesa çfarë do të fitosh është çfarë nuk duhet të humbasësh”, tha Rama.

“E nëse bëjmë, të paktën me sytë tanë këtu në Tiranë, me sytë e mi këtu nga ky podium një llogari të gjërave për t’u humbur nga shqiptarët në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Kosovë, kudoqoftë, është shumë më e madhe dhe me një kosto shumë më të lartë sesa llogaria e atyre që duam të fitojmë duke i marrë këto që kemi si të mirëqena që nuk i humbasim”, shtoi ai.

“Për mua, shqiptarët sot në rajon janë në ditën e tyre më të mirë në histori. Shqipëria nuk diskutohet, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kur unë kam qenë këtu në këtë detyrë vinin për vizitë dhe flisnin për dimensionin që duhej të kishte flamuri shqiptar që të mund të vihej jo nëpër zyra, por në ballkonin e një shtëpie. Sepse ligji i atëhershëm në Maqedoni detyronte që flamuri shqiptar s’duhej të ishte kurrë në dimensionin e flamurit të Maqedonisë, duhej të ishte gjithmonë më i vogël. Sot flamuri shqiptar është krah për krah me çdo të zgjedhur atje pa asnjë problem, sot gjuha shqipe është gjuhë zyrtare e Maqedonisë së Veriut dhe të gjitha mbledhjet, të gjitha vendimet merren me dy gjuhë”, tha Rama.

(Kosova Sot Online )