Zorana Mihajloviq: Vuçiq është sponsor i propagandës, barrikadave e sulmit në veri të Kosovës

  • E.K /
  • 17 October 2023 - 13:09
Zorana Mihajloviq: Vuçiq është sponsor i propagandës, barrikadave e sulmit në veri të Kosovës

Kur presidenti i Serbisë në mënyrë teatrale thotë nga Pekini se ai nuk është pronar i jetës dhe së ardhmes së serbëve në Kosovë, përgjigja është se “gjithçka është gënjeshtër, vetëm gënjeshtër”, thotë Zorana Mihajloviq, kryetare e lëvizjes Gjithmonë për Serbinë, dhe shpjegon se ka qenë Vuçiq ai që ka kërkuar që serbët nga veriu i Kosovës të largohen nga institucionet.

Me këtë, sipas saj Vuçiq ka qenë i pari që ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe ka kërcënuar drejtpërdrejt sigurinë e tyre (serbëve në Kosovë).

Tani ai kërkon që të respektohet Marrëveshja.

“Pastaj ai kërkoi nga serbët në Kosovë që të bojkotojnë zgjedhjet, të organizojnë protesta, të cilave serbët e torturuar iu bindën. Ka pasur një konflikt edhe me KFOR-in. Dhe në Beograd e kemi parë aktrimin e presidentit, dhe në Kosovë serbët nuk e dinin nëse do të zgjoheshin të gjallë në mëngjes. Nën komandën e tij janë bërë bllokada në veri të Kosovës, është bërë propaganda për Kosovën e janë orkestruar mbishkrime në Serbi “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”, thotë Mihajloviq.

Ai shton se qëllimi ishte ngritja e serbëve në një rebelim të armatosur, i cili u tentua më 24 shtator, kur një grup i udhëhequr nga Milan Radoiçiq kreu sulm terrorist në veriun e Kosovës në fshatin Banjska dhe vrau një polic kosovar.

“Milan Radoiçiq në kohën e aktit terrorist ishte nënkryetar aktiv i Listës Serbe. Dhe pastaj, si në një thriller të keq, Vuçiq kërkon që serbët të shkojnë në zgjedhje, ai nuk e përmend Komunitetin me shumicë serbe. Serbët në Kosovë duhet ta dinë se hetimet janë duke vazhduar, se Radoiçiq ka pranuar aktin e terrorizmit dhe se deri në ngritjen e aktakuzës nuk ka zgjidhje se ku do të jetë i akuzuari i parë”, thotë Mihajloviq.

Siç thotë ajo, serbët nga Kosova duhet ta dinë se Lista Serbe mund të ndalohet të funksionojë, se mund të shpallet organizatë që sponsorizon terrorizmin.

Shton se shteti serb, president i të cilit është Vuçiq, mund t’i nënshtrohet sanksioneve. Ose sanksionet do të jenë kundër njerëzve që digjen politikisht dhe financiarisht në Serbi.

“Vendimet e Vuçiqit janë në nivelin e një 5-vjeçari, pa urtësi, sipërfaqësore dhe si tifozë. Fatkeqësisht për të gjithë ne, çdo veprim i mëtejshëm i Presidentit të Serbisë është kërcënim për paqen dhe stabilitetin e gjithë rajonit dhe kur bëhet fjalë për serbët e Kosovës, do të çojë në pogrom të serbëve. Njësoj si Millosheviqi kur tha pas Stuhisë “çka të kisha bërë, ata nuk donin të luftonin””, përfundon Zorana Mihajloviq.

(Kosova Sot Online)