Pa procedurë në Këshillin e BE-së s’mund të bëhet pezullimi i vizave për Kosovën

  • A.P /
  • 17 October 2023 - 15:46
Pa procedurë në Këshillin e BE-së s’mund të bëhet pezullimi i vizave për Kosovën

Pas një deklarate të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, që shkaktoi huti në Kosovë të martën, disa burime diplomatike brenda Bashkimit Evropian (BE) kanë sqaruar se nuk ka mundësi që një shtet në mënyrë të njëanshme ta pezullojë liberalizim e vizave për një shtet tjetër dhe se kjo mund të bëhet vetëm përmes një rregulloreje nga Këshilli i BE-së, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Përderisa për shumë media në Kosovë Macroni “kërcënoi” me pezullimin e vizave për Kosovën kur tha të martën Tiranë se “ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet”, por burime brenda bllokut evropian thanë se Franca s’e ka bërë një kërkesë të tillë.

Burime nga Brukseli thanë për rel të martën se pezullimi është i mundshëm vetëm përmes procedurave në Këshillin e BE-së “duke e përdorur rregulloren për mekanizmin e suspendimit të vizave“ nga viti 2018.

“Franca, e as ndonjë shtet tjetër anëtarë i BE-së, për momentin nuk ka propozuar suspendimin e vizave për Kosovën, apo për Serbinë. Por, nëse do të ketë interes politikë, ajo mund edhe ta bëjë këtë“, ka thënë një burim i Bashkimit Evropian.

Në prill të këtij viti, vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën u miratua edhe formalisht nga BE-ja dhe u botua në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian po të njëjtin muaj.

Nga 1 janar i viti 2024 qytetarët e Kosovës pritet të udhëtojnë pa viza në 27 vende të BE-së, të cilat e përbëjnë të ashtuquajturën zonë Shengen.

Për ta pezulluar këtë vendim duhet të merret një vendim tjetër nga Këshilli i BE-së. Kjo mund të bëhet me kërkesë ose nga Komisioni Evropian ose nga ndonjë shtet anëtarë. Pastaj, vendet anëtare të Këshillit mund të votojnë për pezullimin e mundshëm.

Deri më tash vetëm një herë kishte ndodhur që një shtet anëtar i BE-së të kërkojë pezullimin e liberalizimit të vizave për një vend të rajonit.

Më 2019, Holanda kishte kërkuar që të pezullohej liberalizimi i vizave për shtetasit e Republikës së Shqipërisë. Si arsyetim e kishte përmendur rrezikun që shtetasit e Shqipërisë të përfshirë në krim të organizuar në Holandë paraqesin për sigurinë kombëtare të këtij vendi.

Por, Komisioni Evropian e kishte hedhur poshtë këtë kërkesë. 

(Kosova Sot Online)