Hasani: Presidentja Vjosa Osmani e shkeli Kushtetutën

  • A.P /
  • 17 October 2023 - 17:20
Hasani: Presidentja Vjosa Osmani e shkeli Kushtetutën

Instanca përfundimtare për interpretimin e Kushtetutës së Kosovës nuk mund ta rrëzojë mosdekretimin e Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit nga ana presidentes Vjosa Osman, ka deklaruar ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Por thotë se “mund të ketë pasoja serioze” për shefen e shtetit pasi sipas tij, ajo “me mosveprim e ka shkelur Kushtetutën” duke e mbajtur “në sirtar” dosjen e Këshillit Prokurorial me propozimin e kandidatit për Kryeprokuror.

Hasani tha se Osmani ka të drejtë kur thotë se Këshilli Prokurorial s’mund t’i dërgojë propozim tjetër për Kryeprokuror, ndërsa tha se procedura e përzgjedhjes së Isufajt ka qenë “pa integritet dhe krejtësisht e manipuluar” ndërsa kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale e konsideroi “të padenjë për pozitën e kryprokurorit të shtetit”. Tash, sipas tij, duhet të rihapet konkursi.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare thotë se Osmani është dashur të marrë vendim më herët, pasi “ka pasur të drejtë dhe detyrim kushtetues”. Me mosveprim, Hasani thotë se përveç Kushtetutën, presidentja i ka shkelur edhe “të drejtat e kandidatit tjetër që u refuzua, kandidati-viktimë, i cili, duke dëgjuar Presidenten se duhet pritur verdiktin gjyqësorit të rregullt, ka shkuar gjyqeve dhe ka humbur afatin ligjor”.

Gjykata Kushtetuese së fundmi mori vendim për ankesën e kandidatit Shqipdon Fazliu, i cili kishte kontestuar procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit në gjykatat e rregullta. Kushtetuesja konstatoi se gjykatat tjera kishin vepruar drejt që kishin refuzuar padinë e tij si të pasafatshme, ndërsa kërkesa e tij u trajtua jo në bazë të ligjshmërisë së procesit, por ligjshmërisë së vendimeve të gjykatave paraprake. “Sikur të ishim anëtar të Gjykatës së Strasburgut, ju siguroj që ky kandidat i viktimizuar kësisoj do të fitonte me dinjitet rastin e tij”, thotë Enver Hasani.

(Kosova Sot Online)