Reuten: Macron s’e ka fuqinë për të ndryshuar vendimin e BE’së për viza

  • A.P /
  • 17 October 2023 - 18:27
Reuten: Macron s’e ka fuqinë për të ndryshuar vendimin e BE’së për viza

Qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë nga 1 janari në vendet europiane dhe se qëndrimi i Francës nuk është i gjithë BE-së, poashtu presidenti Macron s’e ka fuqinë për ta ndryshuar, ka theksuar eurodeputeti holandez, Thjis Reuten, që ishte raportues për vizat në Parlamentin Europian,  transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë në fuqi nga 1 janari 2024. Ky vendim është marrë unanimisht nga Këshilli muaj më parë. Përpjekja e Francës për të revokuar këtë vendim nuk është qëndrim i BE-së dhe presidenti Macron nuk ka fuqinë të ndërmarrë në mënyrë të njëanshme hapa të tillë”, tha Reuten.

Reuten thotë se ky qëndrim i Macron nuk do t’i ndihmojë aspak dialogut Kosovë-Serbi dhe se ndëshkimi i Kosovës do të përkthehet si stimulues për Serbinë që të vazhdojë me pengesa në procesin e pajtimit.

“Kjo lëvizje e pamatur po shqetëson situatën tashmë të pasigurt në dialogun Beograd-Prishtinë. Ky diskutim nuk duhet të jetë pjesë e përpjekjeve tona për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës sepse nuk ka të bëjë me të. Do të ishte një stimul për Serbinë për të penguar më tej normalizimin e nevojshëm, në vend të angazhimit shumë të nevojshëm në mirëbesim midis dy vendeve të lehtësuar nga BE”.


(Kosova Sot Online)