Media e njohur: Macron kërcënon Kosovën se do bllokojë liberalizimin e vizave

  • A P /
  • 17 October 2023 - 21:55
Media e njohur: Macron kërcënon Kosovën se do bllokojë liberalizimin e vizave

Gazeta e madhe franceze, Le Figaro, shkruan se presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kërcënoi nga Tirana se do të ndryshojë regjimin e lëvizjes pa viza për Kosovën, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Le Figaro

Presidenti francez, Emmanuel Macron, bëri thirrje të martën më 17 tetor për ‘frymë përgjegjësie’ nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe autoritetet kosovare për të reduktuar tensionet, të cilat kanë arritur kulmin në javët e fundit, duke paraqitur një kërcënim për liberalizimin e vizave.

“Është përgjegjësi e presidentit Vuçiç të dënojë me vendosmëri të madhe aktet e 24 shtatorit dhe të kontribuojë në rivendosjen e qetësisë në kufi,” deklaroi Emmanuel Macron nga Tirana, duke iu referuar vdekjes në fund të shtatorit të një oficeri të policisë kosovare, i cili u vra nga një komando e përbërë nga serbë të Kosovës. Një person i afërt i Aleksandër Vuçiç ka pranuar se ishte në krye të këtij grupi, përpara se të tërhiqej.

“Ajo që presim nga autoritetet e Kosovës dhe Serbisë është e thjeshtë: riorganizim i zgjedhjeve në komunat në veri të Kosovës, ku ato janë mbajtur në kushte të papërshtatshme. Pjesëmarrje e serbëve në këto zgjedhje dhe në institucione, njohje e asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare. Në këtë mënyrë, plotësisht dhe totalisht,” këmbënguli Emmanuel Macron gjatë një konference për shtyp me kryeministrin shqiptar.

‘Bëmë një gjest besimi për çështjen e vizave’

Për gati një vit, asnjë nga 40 mijë serbët e veriut të Kosovës nuk ka punuar në institucionet e rajonit- polici, drejtësi, etj. Të gjithë ata dhanë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, kur Prishtina njoftoi se tani e tutje do të ndalohej përdorimi i targave serbe. Në pranverë, Lista Serbe vendosi të bojkotojë zgjedhjet e organizuara për të mbushur këtë zbrazëti.

Më pas u zgjodhën kryetarët shqiptarë- me një pjesëmarrje prej më pak se 4 përqind. Kur ata morën objektin, shpërthyen demonstratat, të cilat u kthyen shpejt në trazira.

“Unë pres frymën e përgjegjësisë nga presidenti serb, dhe të njëjtën gjë pres nga presidenti dhe kryeministri kosovar,” shtoi Emmanuel Macron, i cili së fundmi paraqiti një propozim për një udhërrëfyes franko-gjerman për rivendosjen e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Presidenti francez kërcënoi se do të ndryshojë regjimin e lëvizjes pa viza të Kosovës, i cili do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.

(Kosova Sot Online)