Kryeministri Kurti kërkon që forcat shtesë të KFOR-it të ruajnë kufirin me Serbinë

  • E.K /
  • 18 October 2023 - 13:09
Kryeministri Kurti kërkon që forcat shtesë të KFOR-it të ruajnë kufirin me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Ozkan Ultutas, për të biseduar për situatën e sigurisë në vend, përcjell “Kosova Sot Online”.

Kurti theksoi që është i interesuar për bashkëpunim të fortë, takime të shpeshta dhe komunikim të rregullt me Komandatin e KFOR-it.

Temë qendrore e takimit ishte situata e sigurisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Kosovë. Kryeministri theksoi që ky sulm terrorist ka vënë në pah nevojën për rritjen e sigurisë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Sasia e madhe e armatimit dhe municionit ushtarak të konfiskuar është prodhuar në Serbi. Edhe ushtrimet luftarake të paramilitarëve që kryen terror e vrasje në Banjskë të Zveçanit janë kryer në Serbi. Atje Kosova nuk ka jurisdiksion prandaj nevojitet edhe një hetim ndërkombëtar në Serbi mbi përgatitjet, furnizimin dhe orkestrimin e këtij sulmi.

(Kosova Sot Online)