​Rezolutat për sulmin në Banjskë, PE diskuton sot 5 dokumente për ngjarjen në veri të Kosovës

  • E.K /
  • 19 October 2023 - 07:40
​Rezolutat për sulmin në Banjskë, PE diskuton sot 5 dokumente për ngjarjen në veri të Kosovës

Parlamenti Evropian do të diskutojë sot për pesë rezoluta të ndryshme për dialogun Kosovë-Serbi dhe lidhur me sulmin e armatosur të 24 shtatorit në Banjskë.

Në katër prej dokumenteve kërkohet që Serbia të mbahet përgjegjëse për atë që ndodhi dhe të vendosen masa ndëshkuese ndaj këtij shteti. Gjithashtu u bëhet thirrje palëve që të rikthehen në procesin e dialogut.

ALEANCA PROGRESIVE E SOCIALISTËVE DHE DEMOKRATËVE – BE të propozojë një qasje të re dhe të balancuar në dialog. BE të veprojë si ndërmjetës i ndershëm, të ndryshojë qasjen e përkëdheljes së Serbisë. Këshilli të heqë menjëherë masat kundër Kosovës. BE të vendosë masa kundër Serbisë për sulmin në Banjskë.

GRUPI I PARTIVE POPULLORE EUROPIANE – Dënon ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, përfshirjen e mundshme në sulmin e Banjskës. BE të vendosë masa ndaj udhëheqjes serbe, nëse konfirmohet përfshirja në sulmin në Banjskë. Serbia të tërheqë ushtrinë dhe armatimet e rënda nga kufiri me Kosovën si dhe mbështetjen për formacionet terroriste në veri të Kosovës. Autoambulancat dhe objektet e Kishës Ortodokse Serbe në veri të Kosovës po përdoren për kontrabandë armësh.

RINOVONI EUROPËN – Zhgënjim që Serbia lobon për tërheqjen e njohjeve për Kosovën dhe që kundërshton anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Dënon përpjekjet ruse për ndikim në Ballkan dhe përfshirjen e mundshme në sulmin e Banjskës. BE të ndërmarrë veprime në kuadrin e asistencës së para-anëtarësimit kundër atyre që nuk respektojnë marrëveshjet. Dënon trajtimin e këtij incidenti të rëndë të sigurisë nga autoritetet serbe. BE të sanksionojë organizatorët, financuesit dhe autorët e sulmit.

KONSERVATORËT DHE REFORMISTËT EUROPIANË – Ritheksojnë rëndësinë e përgjegjësisë së përbashkët dhe nevojën për zgjidhje afatgjata paqësore të konfliktit. Kosova dhe Serbia të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e dialogut. Shqetësim për mungesën e progresit nga palët për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

TË GJELBRIT – ALEANCA E LIRË EUROPIANE – Komisioni Evropian dhe Këshilli i BE të marrin masa kundër qeverisë së Serbisë, nëse është përfshirë në sulmin terrorist të Banjskës. Provat lidhin grupet e dhunshme kriminale në veri të Kosovës dhe në Serbi me shtetin serb. KFOR të krijojë një plan kontrolli për veriun e Kosovës. Komisioni Evropian të heqë masat e vendosura ndaj Kosovës. KE, Borrell dhe Lajçak të braktisin qasjen e përkëdheljes së Serbisë, të jenë të paanshëm dhe të balancuar në dialog.

Parlamenti Evropian ka në përbërje 705 deputetë të ndarë në 7 grupime të ndryshme politike. Shumicën e ulëseve e zotërojnë partitë e djathta. Shanset më të mëdha janë për aprovimin e njërës nga rezolutat e propozuara nga GRUPI I PARTIVE POPULLORE EUROPIANE ose ALEANCA PROGRESIVE E SOCIALISTËVE DHE DEMOKRATËVE.