Ndezët alarmi për bombë, evakuohet aeroporti i Bazelit në Zvicër – pamje

  • E.K /
  • 19 October 2023 - 15:19
Ndezët alarmi për bombë, evakuohet aeroporti i Bazelit në Zvicër – pamje

Aeroporti ndërkombëtar i Bazelit “Basel-Mulhouse” u evakuua të enjten për arsye sigurie. Shkaku i saktë është ende i paqartë.

Siç raporton Blick, Euroaeroporti Basel-Mulhouse duhej të evakuohej të enjten pasdite. Ky aeroport e ka konfirmuar këtë pas kërkesës nga ky medium. Arsyeja e saktë e evakuimit fillimisht mbetet e paqartë. Sipas një zëdhënëse, kjo është bërë “për arsye sigurie”. Prefektura përgjegjëse e departamentit francez të Haut-Rhin konfirmoi për “20 Minutes” se ishte ndezur një alarm për bombë. Çfarë saktësisht e shkaktoi këtë mbetet e paqartë.

Për Blick ka folur edhe një udhëtar që ishte prezent aty.

 “Ne jemi në aeroplan. Informacioni që kemi është se ndoshta do të duhet të qëndrojmë në aeroplan për të paktën një orë. Askush nuk ka informacion të saktë”.

Siç tregojnë të dhënat nga Flightradar24, një fluturim nga Mynihu që ishte planifikuar të ulej në orën 16:10 tashmë është anuluar. Një aeroplan nga Majorka, i planifikuar të mbërrinte në orën 15:25, u devijua për në Gjenevë. Një zëdhënëse e mediave për aeroportin nuk ishte në gjendje të konfirmonte për Blick nëse këto kishin lidhje me evakuimin.

Një seri kërcënimesh me bomba po e mbajnë Francën në pezull pasi u vendos në nivelin më të lartë të alarmit për terrorizmin.

Ashtu si një ditë më parë, një numër aeroportesh rajonale u evakuuan përkohësisht të enjten për shkak të kërcënimeve me bomba. Aeroportet në Montpellier, Nantes, Bordeaux dhe Lille ishin ndër aeroportet e prekura.

(Kosova Sot Online)