Pas dyshimeve për bombë aeroporti ende i evakuuar

  • A.P /
  • 19 October 2023 - 17:05
Pas dyshimeve për bombë aeroporti ende i evakuuar

Aeroporti i Basel-Mulhouse vazhdon të jetë i evakuuar pas një dyshimi për bombë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Arsyeja e saktë e evakuimit fillimisht mbeti e paqartë. Prefektura zvicerane më në fund konfirmoi për Blick se “terminali duhej të evakuohej për arsye sigurie pas një kërcënimi me bombë”. Sipas “20 Minutes”, një qen zbulues eksplozivi nga policia kantonale e Bazelit ka mbërritur rreth orës 15:30.

Ndërkaq, jashtë aeroportit ka filluar të bëhet një situatë kaotike meqë udhëtarët s’po kanë ku të presin dhe ende nuk dinë nëse do të realizohen udhëtimet e tyre.

Njësia zjarrfikëse ka sjellë ujë për pasagjerët. Mësohet gjithashtu se piloti ka thënë se nuk ka informacion të mëtejshëm dhe ka kërkuar nga pasagjerët të kenë durim.

 “Pasagjerët janë ulur edhe në shkurre sepse parkingu është plot dhe nuk ka mundësi të tjera”, ka thënë për Blick një lexues, transmeton Gazeta Express.

Në një foto të bërë nga lexuesi mund të shihni se si disa njerëz po strehohen nga shiu nën një urë.

Po ashtu, kanë nisë edhe anulimi dhe devijimi i fluturimeve të planifikuara për aeroport.

Siç tregojnë të dhënat nga faqja e internetit e aeroportit, disa fluturime janë anuluar, duke përfshirë nga Mynihu, Frankfurt, Cyrih dhe Amsterdami. Këto kufizime zbatohen deri pak para orës 18:00. Dy avionë u devijuan gjithashtu. Një zëdhënëse e mediave për aeroportin nuk ishte në gjendje të konfirmonte për Blick nëse kishte një lidhje me evakuimin.

Një seri kërcënimesh me bomba vazhdojnë ta mbajnë Francën të bllokuar pas vendosjes së nivelit më të lartë të alarmit terrorist. Ashtu si një ditë më parë, një numër aeroportesh rajonale u evakuuan përkohësisht të enjten për shkak të kërcënimeve me bomba. Aeroportet në Montpellier, Nantes, Bordeaux dhe Lille u prekën.

(Kosova Sot Online)