Nga PE, kërkohet ndëshkimi i Serbisë nëse vërtetohet përfshirja në sulmin e Banjskës

  • A.P /
  • 19 October 2023 - 20:26
Nga PE, kërkohet ndëshkimi i Serbisë nëse vërtetohet përfshirja në sulmin e Banjskës

Parlamenti Evropian miratoi të enjten një rezolutë me të cilën dënon ashpër sulmin e 24 shtatorit në veri të Kosovës nga “paraushtarakët e mirë organizuar serbë” ndërsa kritikon, siç thuhet, politikën e rrezikshme të Serbisë ndaj Kosovës dhe partnerëve të saj perëndimorë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Rezoluta që u miratua me ngritje dore, thekson se “deputetët evropianë po ndjekin nga afër hetimet e vazhdueshme nga autoritetet e Kosovës dhe i kërkojnë Serbisë që të bashkëpunojë plotësisht dhe të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin, të cilët aktualisht janë duke banuar në Serbi, duke përfshirë lehtësimin e ekstradimit të tyre në Kosovë”.

Në rezolutë thuhet se sjellja agresive ushtarake, së bashku me mesazhet politike të radikalizuara në Serbi dhe sinjalet e forta të përfshirjes së shtetit serb në dhunën e fundit politike në veri të Kosovës, tregon se qeveria serbe po ndjek një politikë shumë të rrezikshme, por të vazhdueshme në lidhje me Kosovën dhe me partnerët perëndimor. Deputetët evropianë po ashtu theksojnë se janë të shqetësuar nga provat që lidhin grupet e dhunshme kriminale në veri të Kosovës dhe në Serbi me shtetin serb.

(Kosova Sot Online)