Ish-missi i Kosovës dyshohet se përfitoi mijëra euro e Audi Q8 përmes shantazhit

  • A.P /
  • 19 October 2023 - 20:55
Ish-missi i Kosovës dyshohet se përfitoi mijëra euro e Audi Q8 përmes shantazhit

Z.B., ish-miss Kosova, po qëndron në arrest shtëpiak për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “shtantazhi”. Prokuroria pretendon se e njëjta ka shantazhuar I.J., me fotografi e video intime, se do t’ia dërgojë familjes së tij, madje në një rast edhe ia ka dërguar bashkëshortes së I.J., dhe familjarëve të tij. Kësisoj, prokuroria pretendon se ajo ka arritur që të përfitojë në një rast 50 mijë euro nga I.J., që “të mbyllet çështja”,  por që shantazhi ka vazhduar, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Asaj i është blerë edhe vetura “Audi Q8”, në vlerë prej 70 mijë euro si dhe dhënia e 5 mijë euro në muaj për të. Krejt kjo “dramë” u zhvillua nga viti 2021 deri në 2023,  dhe u ndërpre pasi vetë I.J., inicioi rast në polici. 

Zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Marcel Lekaj, e konfirmon masën e arrestit shtëpiak ndaj ish-miss Kosova, në kohëzgjatje prej një muaji.

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, me datë 10.10.2023, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, dhe ndaj të pandehurës Z.B., ka caktuar masën e ARRESTIT SHTËPIAK; në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri me datë 08.11.2023, për shkak të dyshimit zë bazuar se e njëjta ka kryer veprën penale, Shantazhi nga neni 329, par. 2 lidhur me par.1 të KP-së”, thuhet në përgjigjen e Lekajt.

Prokuroria Themelore e Prizrenit pretendon se “prej muajit gusht të vitit 2021 e në vazhdimësi deri më datën 08.10.2023, në intervale të ndryshme kohore në Prizren dhe Prishtinë, e pandehura Z.B., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo përsonin tjetër, e kanos të dëmtuarin I.J., se do t’i dërgojë fotot e tyre personale familjes së të dëmtuarit, me çka do të dëmtojnë nderin apo autoritetin e të dëmtuarit dhe në këtë mënyrë e detyron të dëmtuarin të kryejë veprime në dëm të pasurisë së tij”.

Z.B., sipas prokurorisë ka dërguar fotot e tyre intime tek familja e I.J.

“I dëmtuari dhe i pandehuri krijojnë lidhje dashurie, gjatë muajit gusht të vitit 2021 derisa e pandehura kishte shkuar në SHBA, i kërkon të dëmtuarit 100 mijë euro për nevojat e saj, por i dëmtuari nuk ia dërgon shumën dhe kërkon ta ndërprejnë lidhjen, e pandehura e kërcënon se do t’ia shkatërrojë familjen. Në “Instagram” nga një llogari “N…n”, ia dërgon fotot intime tek bashkëshorja, djali dhe shokët e të dëmtuarit…”, pretendon prokuroria.

Pas rikthimit nga SHBA, ajo vazhdon ta kanos të dëmtuarin.

“Më pas në fillim të vitit 2022, e pandehura kthehet nga SHBA, derisa i dëmtuari ishte në një hotel në Prishtinë, aty vjen e pandehura dhe i drejtohet të dëmtuarit “çka të kam bërë ishte vetëm 30% dhe 70% kam gjëra që do t’i publikojë”, ke menduar se e ke përfunduar por unë akoma se kam përfunduar”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

“Më pas gjatë muajit gusht të vitit 2022, i dëmtuari detyrohet që t’ia bëjë pagesën për blerjen e veturës Audi Q8, të pandehurës në shumën prej 70 mijë eurosh. Me kërcënimin që nëse nuk ia paguan veturën, do t’ia prishë dasmën e djalit”.

“Më datën 5 shtator 2023, i dëmtuari detyrohet që t’ia jap të pandehurës shumën prej 50 mijë eurosh, si kërkesë që të mbyllet kjo çështje”, thekson prokuroria.

Po ashtu e pandehura kërkon nga i dëmtuari shumën prej 5 mijë euro në muaj, që i dëmtuari të mos ketë pasoja familjare.

“I dëmtuari, nga kanosjet se e njëjta fo t’i dërgojë përsëri familjes fotot e videos intime, të pandehurës ia jep 5 mijë euro në muaj, deri në korrik 2023”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

E pandehura ndodhet nën masën e arrestit shtëpiak deri më 10 nëntor 2023.

(Kosova Sot Online)