Emisarët evropianë dhe amerikanë, pritet të vijnë nesër në Kosovë

  • E.K /
  • 20 October 2023 - 08:36
Emisarët evropianë dhe amerikanë, pritet të vijnë nesër në Kosovë

Emisarët evropianë dhe amerikanë, pritet të vijnë të shtunën në Kosovë, ndërsa në fokus të takimeve do të kenë planin që palët t’i rikthejnë në procesin e dialogut drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Njohësit e çështjeve politike në Kosovë thonë se ardhja e tyre ka të bëjë edhe me ndryshimin e formatit të dialogut, derisa theksojnë se BE-ja duhet të ketë veprime të qarta kundrejt Serbisë.

Pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, pritet që pesëshja e madhe të vijë të shtunën në Kosovë, më pas edhe në Serbi, me përpjekjet  e tyre për rifillimin e dialogut ndërmjet dy vendeve.

E analistët në Kosovë, thonë se përpjekjet e tyre duhet të kenë një ndikim më të madh, pasi siç theksojnë, formati i deritanishëm i dialogut nuk ka prodhuar asgjë.

Analistja Arta Tahiri tha se arsyeja e ardhjes së tyre ka të bëjë pikërisht me mënyrën se si do të ndryshojë formati i dialogut.

“Në mënyrë kronologjike nëse i shohim ngjarjet, jo vetëm në Kosovë, por në çdo vend të botës, kur dialogu i formatit të zbatuar deri më tani nuk ka prodhuar sukses, gjithmonë ka ardhur një fazë tjetër kur është kërkuar me ngulm një format “merre ose lëre”, që është përdorur si shprehje për dy vende, në mënyrë që pastaj ajo marrëveshje që serviret në tavolinë të jetë e zbatueshme patjetër për të dyja palët. Nëse vazhdon kjo frymë e negociatave, ku kërkohet lëshim nga ana e Kosovës, por gjithashtu një qasje tjetër nga Serbia, atëherë kjo do të shkojë në pafundësi dhe nuk do të sjellë rezultate konkrete. Prandaj, mendoj që kohët e fundit me situatën e krijuar dhe me qasjen e udhëheqësve të Serbisë ndaj Kosovës duhet patjetër që të vihen pikat mbi “I” për të kuptuar se cili do të jetë ky format dhe cila do të jetë forma e prerë nëse duan zgjidhje përfundimtare ndërmjet dy shteteve fqinje siç janë Kosova dhe Serbia”, tha ajo.

Ndërsa, profesori universitar, Dorajet Imeri, tha se emisarët nuk kanë se çfarë kërkojnë në Kosovë, përderisa nuk tregojnë veprimet e qarta kundrejt Serbisë.

“Serbia është dëshmuar e përfshirë drejtpërdrejt në një akt, i cili synimin e ka pasur rrënimin e sistemit politik të Kosovës. Pra, një akt agresioni e që Serbia qëndron prapa grupeve terroriste, pra është e përfshirë, Serbia është grupi terrorist. E nëse Bashkimi Evropian e kapërcen këtë sikur nuk ka ndodhur asgjë, unë besoj fuqimisht se ata thjesht nuk janë të interesuar për marrëveshje, por janë të interesuar për menaxhim krize. Fatkeqësia është se ata po e dëmtojnë jashtëzakonisht shumë pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha ai.

Ditë më parë, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka konfirmuar se përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirolslav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të udhëtojnë të shtunën, më 21 tetor në Kosovë dhe Serbi, për t’u takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe më pas me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.

Ai ka thënë se qëllimi i kësaj vizite është për të arritur përparim konkret në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe shtensionimin pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u takuan për herë të fundit më 14 shtator, takim i cili dështoi për t’u pajtuar me plan për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjeve.

(Kosova Sot Online)