Kryeministri Kurti takon pesë diplomatët e lartë për dialogun

  • S.A /
  • 21 October 2023 - 07:51
Kryeministri  Kurti takon pesë diplomatët e lartë për dialogun

Kryeministri i Kosovës do t’i pres sot në takim Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, Zëvendës Ndihmës Sekretarin e ShBA-ve, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e liderëve shtetërorë të Gjermanisë, Francës e Italisë, transmeton "Kosova Sot Online ".

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, takimi do të mbahet në orën 10:00.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, Zëvendës Ndihmës Sekretarin e ShBA-ve, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e liderëve shtetërorë të Gjermanisë, Francës e Italisë. Mediat mund të marrin pamje në oborrin e ndërtesës së Qeverisë”, thuhet në njoftim.

Pesë zyrtarë perëndimor do të zhvillojnë sot vizitë në Kosovë dhe Serbi, me qëllim kryesor – ringjalljen e dialogut mes dy vendeve.

Kështu i ka arsyetuar Bashkimi Evropian vizitat e të dërguarit të tij për dialogun Kosovë -Serbi, Mirosllav Lajçak, bashkë me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe zyrtarët e lartë nga Franca, Emanuel Bonne, Gjermania, Jens Plotner dhe Italia, Francesco Talo, në Prishtinë e Beograd.

Zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, ka konfirmuar të martën se përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirolslav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të udhëtojnë më 21 tetor në Kosovë dhe Serbi, për t’u takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Qëllimi i kësaj vizite është për të arritur përparim konkret në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe shtensionimin pas zhvillimeve të fundit”, ka thënë zëdhënësi Peter Stano.

“BE-ja dhe vendet anëtare, sikurse edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbesin mbështetëse të mëdha të procesit të normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe së ardhmes evropiane të të gjithë rajonit. Kemi pritje të qarta nga palët që të vazhdojnë procesin e normalizimit dhe të kryejnë pa vonesa dhe pa kushte obligimet e tyre”, ka thënë Stano.

(Kosova Sot Online )