Bodine: Nuk ekziston një mënyrë për ta larguar ushtarakisht Hamasin nga Gaza

  • S.A /
  • 21 October 2023 - 08:59
Bodine: Nuk ekziston një mënyrë për ta larguar ushtarakisht Hamasin nga Gaza

Drejtorja e Institutit për Studimin e Diplomacisë në Universitetin Georgetown, Ambasadorja Barbara Bodine, thotë se opsioni ushtarak nuk është zgjidhja për konfliktin në Lindjen e Mesme dhe se nuk është mënyrë për larguar Hamasin nga Gaza, transmeton "Kosova Sot Online".

Ajo thotë se e vetmja zgjidhje për rajonin është ajo diplomatike. Amasadorja Bodine e cila ka shërbyer mbi 30 vjet në Shërbimin e Jashtëm të Shteteve të Bashkuara, kryesisht për politikat rajonale dhe çështjet strategjike të sigurisë në Gadishullin Arabik dhe Gjirin Persik dhe si ambasadore në Jemen në vitet 1997-2001, bisedoi me kolegun Ermal Mërtiri, rreth rolit jetik të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme dhe hapave të ardhshëm të administratës së Presidentit Biden.

Zëri i Amerikës: Ambasadore Bodine, ju ia keni përkushtuar të gjithë karrierën tuaj këtij rajoni. Si e shikoni rolin e Shteteve të Bashkuara në konfliktin e tanishëm mes Izraelit dhe Hamasit?

Barbara K. Bodine: Mendoj se Shtetet e Bashkuara kanë një rol të gjatë dhe jetik, në veçanti në këtë pjesë të Lindjes së Mesme dhe me Izraelin dhe aleatët tanë arabë. Dhe mendoj se do të vazhdojmë të luajmë një rol qendror. Por është e rëndësishme të kuptojmë se nuk do të jemi lojtarët e vetëm, se kjo do të jetë një çështje për të gjithë në rajon dhe lojtarët e tjerë globalë, për të ndihmuar që kjo të zgjidhet, të stabilizohet dhe për arritur paqe të vërtetë.

Zëri i Amerikës: Administrata e Presidentit Biden ka qëndruar deri më tani larg ndërmjetësimit të një marrëveshjeje të qëndrueshme mes Izraelit dhe palestinezëve, dhe ka ndjekur atë që është quajtur diplomaci e qetë. A mendoni, pas zhvillimeve të fundit, se do të shohim një përfshirje të drejtpërdrejtë nga administrata e Presidentit Biden, ashtu siç kanë vepruar presidentët amerikanë në të kaluarën?

Barbara K. Bodine: Kemi patur një të dërguar të posaçëm që punon për çështjen palestineze dhe kjo administratë ka vazhduar të jetë e përkushtuar ndaj zgjidhjes mes dy shtete dhe për një paqe vërtet të drejtë dhe të qëndrueshme. Mendoj se do të vazhdojmë me diplomacinë e qetë. E di se kemi njerëz në Kajro dhe në Aman, në vendet e Gjirit, partnerët tanë, që gjithashtu po përpiqen që t’i afrohen një zgjidhjeje të drejtë. Do të ketë tashmë më shumë aktivitet. Do të ketë përqendrim më të madh për arsye të dukshme. Por nuk po ia fillojmë nga zero. Kjo është diçka që ka qenë në axhende dhe për të cilën është punuar.

Zëri i Amerikës: Zonja ambasadore, Izraeli pritet të fillojë një sulm tokësor në Gazë. A mendoni se opsioni ushtarak është zgjidhja për këtë konflikt?

Barbara K. Bodine: Mendoj se opsioni ushtarak është rrallë herë zgjidhja. Nuk e shoh se si do të jetë në këtë rast. Mendoj se nëse e dëgjuat me shumë kujdes Presidentin Biden në Izrael, ai gjithashtu po bënte disa paralajmërime. Nuk ka zgjidhje ushtarake dhe do të duhet të jetë një zgjidhje diplomatike. Ka patur disa mendime se ndoshta sulmi tokësor nuk do të fillojë, megjithëse nuk do të mbështetesha tek njëra apo tjetra mënyrë. Por qartësisht fushata me sulme ajrore nuk do jetë zgjidhja. Nuk ekziston një mënyrë për ta larguar ushtarakisht Hamasin nga Gaza. Dhe nuk ekziston vërtet një opsion, një zgjidhje afatgjatë për zhvendosjen me forcë të popullsisë së Gazës në jug. Pra, opsioni ushtarak nuk është zgjidhje.

Zëri i Amerikës: A mendoni se konflikti do të zgjerohet në rajon?

Barbara K. Bodine: Fatkeqësisht është përhapur tashmë, pasi ka aktivitet të shtuar përgjatë kufirit libanez me Hezbollahun. Pra, ka filluar të përhapet. Deri ku do të përhapet? Nuk e di. Dhe ky do të jetë absolutisht përqendrimi i përpjekjeve diplomatike, që të parandalohet përhapja, e cila nuk do të ishte në të mirë të Izraelit, nuk do të ishte në të mirë të palestinezëve, nuk do të ishte në të mirë të aleatëve dhe miqve tanë në rajon. Ky është si zjarri në pyje, është shumë i vështirë të përmbahet. Dhe ne duhet të punojmë, ashtu siç po punojmë me Jordaninë, Libanin, me Egjiptin, për të ndalur përhapjen.

Zëri i Amerikës: Gjatë dekadave të fundit, Izraeli dhe palestinezët i janë afruar një marrëveshjeje, vetëm për ta parë në vazhdim të dështojë. A është e mundshme një marrëveshje e qëndrueshme mes dy palëve? Dhe si mendoni se mund të arrihet kjo?

Barbara K. Bodine: Nëse do ta kisha patur zgjidhjen për çështjen e Izraelit dhe palestinezëve, do ta kisha ndarë me presidentin dhe me Departamentin e Shtetit. Është jashtë kontrollit, por nuk është e pashpresë. Siç thatë edhe juve, i janë afruar (zgjidhjes) disa herë dhe madje jashtëzakonisht afër. Disa herë. Dhe pastaj ka dështuar. Unë jap mësim për negocimin dhe u them studentëve të mi se të gjitha negociatat fillojmë me një dështim. Gjithnjë ka patur dështim përpara angazhimit, përndryshe do ta kishim zgjidhjen që në fillim. Pra, fakti që kanë dështuar nuk është shenjë dëshpërimi. Është realisht shenjë e një shprese të vazhdueshme se diçka mund të arrihet dhe që duhet të arrihet. Dhe mendoj se kjo luftë ka nënvizuar se duhet të ketë një zgjidhje të qëndrueshme diplomatike.

(Kosova Sot Online )