Dy gra i bëjnë për spital policët në Podujevë

  • A.P /
  • 22 October 2023 - 17:48
Dy gra i bëjnë për spital policët në Podujevë

Të premten, fshati Penuhë i Podujevës për pak kohë u shndërrua në një arenë përleshjeje, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Protagonistë në njërën anë ishin dy policët llapjanë, e në tjetrën një familje treantarëshe.

Të parët kishin dalë për të parë nëse po respektohen rregullat e trafikut nga ngasësit. Por, në një moment radari i tyre e kapi një veturë në të cilën ishin edhe dy pasagjere, të cilat rezultuan të jenë problematike. Ato i sulmuan policët, duke e bërë njërin për mjek.

Sipas dëshmitarëve që e panë të gjithë ngjarjen, zënka filloi së pari me shoferin e veturës dhe policin që ia shqiptoi gjobën e më pas aty u përfshinë edhe familjarët e shoferit që ishin pasagjerë. Gruaja e nëna e vozitësit e mbrojtën djalin, por policët nuk i kursyen.

Për ta vënë situatën nën kontroll, të uniformuarit arrestuan dy gratë nën dyshimet për kryerjen e veprës “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Më pas me vendim të prokurorit, të njëjtat u liruan, teksa rasti po vazhdon në procedurë të rregullt.

(Kosova Sot Online)