Rasti i Banjskës, Kurti i kërkon BE’së dhe SHBA’së një Gjykatë Speciale për ta dënuar Klanin e Novi Sadit

  • E.K /
  • 23 October 2023 - 13:35
Rasti i Banjskës, Kurti i kërkon BE’së dhe SHBA’së një Gjykatë Speciale për ta dënuar Klanin e Novi Sadit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar sot se “sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit”, përcjell “Kosova Sot Online”.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet ta formojnë një Gjykatë Speciale për këtë klan, pasi tha se “Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi”.

“A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar”, shkroi Kurti.

Ai tha se në krye të këtij klani “ndodhet Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq”.

“Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviqit, dhe miku më i afërt i vëllaut të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiq”, shkroi Kurti.

(Kosova Sot Online)