Kurti në takim lamtumirës me Minxhozin, e falënderon për kontributin

  • A.P /
  • 23 October 2023 - 16:45
Kurti në takim lamtumirës me Minxhozin, e falënderon për kontributin

Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozin, e priti në takim lamtumirës kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Zyra e Kryeministrit e përshkroi si “të përzemërt” takimin ku Kurti thuhet se e falënderoi Minxhozin.

“Gjatë bashkëbisedimit në këtë takim të përzemërt, Kryeministri Kurti e falënderoi Ambasadorin Minxhozi për punën, angazhimin, mbështetjen dhe bashkëpunimin gjatë gjithë mandatit të tij, si dhe për kontributin e tij të çmueshëm në ruajtjen dhe përparimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme”, thuhet në njoftim.

Minxhozi, sipas ZKM-së “e falënderoi kryeministrin për mikpritjen, komunikimin e rregullt dhe bashkëpunimin e afërt”.

“U vlerësua angazhimi i përbashkët me qëllim përmirësimin në jetën e qytetarëve dhe bizneseve, si dhe lehtësimin e problematikave të mbartura ndër vite, në fushat e sigurisë, tregtisë, drejtësisë, arsimit e kulturës. U theksuan marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, nënshkrimi i gjithsej 184 marrëveshjeve, protokolleve e memorandumeve, si dhe niveli i zbatueshmërisë së marrëveshjeve të deritanishme”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)