Ziadeh: Marrëveshjet e arritura në dialog përfshirë edhe Asociacionin duhet të zbatohen

  • A.P /
  • 23 October 2023 - 22:40
Ziadeh: Marrëveshjet e arritura në dialog përfshirë edhe Asociacionin duhet të zbatohen

Shefja e misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, Caroline Ziadeh, ka deklaruar se pavarësisht se nuk përfshihet në raportin gjashtëmujor, përmendi “incidentin e sigurisë” në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ajo tha se pas hetimeve, përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë. Ajo tha se ngjarja ku u vra një zyrtar policor i Kosovës dhe tre sulmues, “ka përkeqësuar situatën” e sigurisë, e cila sipas saj, edhe para 24 shtatorit ishte e rëndë.

“Është thelbësore që hetimet që po zhvillohen aktualisht të ofrojnë mundësinë për të dokumentuar me fakte këto ngjarje dhe për ti mbajtur autorët përgjegjës”, tha ajo.

Ajo kërkoi që palët t’i kthehen dialogut dhe tha se pret nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë masa të shtensionimit të situatës, duke vënë theksin në nevojën e një “kompromisi politik” në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Dialogu është e vetmja rrugë përpara”, tha ajo.

Ziadeh tha se shpreson që takimi i diplomatëve ndërkombëtarë në Kosovë dhe Serbi më 21 tetor do të bëjë që palët t’i kthehen dialogut për normalizimin e raporteve.

Shefja e UNMIK-ut tha se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duhet të zbatohen.

Raporti i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, përfshin periudhën gjashtëmujore nga 19 marsi deri më 18 shtator.

(Kosova Sot Online)