Dushan Janjiq zbulon kërkesat e pesëshes për Vuçiqin

  • A.P /
  • 24 October 2023 - 15:57
Dushan Janjiq zbulon kërkesat e pesëshes për Vuçiqin

Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie etnike në Beograd, vlerëson se BE-ja dhe emisarët perëndimorë, në esencë, po përpiqen të mbajnë një lloj dinamike sa u përket çështjeve politike në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Por, shton ai, para cilësdo çështje politike, ata kërkojnë ta definojnë gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës.

Janjiq vlerëson se sulmi në Banjskë është çështja e parë që trajtohet në kërkesat e emisarëve perëndimorë.

Kjo situatë, sipas tij, paraqet problem serioz për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

“Nuk i japin hapësirë [Vuçiqit] të lëvizë jashtë kësaj çështjeje të sigurisë, derisa të mos fillojë gjykimi [ndaj grupit të armatosur] dhe derisa të mos zgjidhet çështja e kthimit [të serbëve të veriut] në institucione. Kjo është e re, sepse, për herë të parë, ata janë në prag të bisedimeve për pakon e sigurisë, e cila, sipas definicionit, nuk funksionon në formatin ku [i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav] Lajçak dhe [shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep] Borrell janë kryesorët. Këtë do ta mbikëqyrë grupi i QUINT-it”, thotë Janjiq për rel

Sipas tij, deklaratat e Vuçiqit se vendet e Perëndimit i kanë politikat e veta që “janë plotësisht të kundërta” me qëndrimin e Serbisë, janë për “konsum të brendshëm”.

Janjiq thotë se Vuçiq është pajtuar tashmë me Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, për të cilin është rënë dakord në Ohër.

“Ai [Vuçiq] e ka pranuar në shkurt atë marrëveshje, ku statusi [i Kosovës] është i zgjidhur, pra pranimi i ekzistencës së Republikës së Kosovës dhe të tjerat. Kështu po bëhet përpjekje që të ruhet ai niveli politik [i dialogut], por se, në esencë, insistohet në siguri. Për të do të marrë mbikëqyrje më të madhe EULEX-i [Misioni i BE-së për sundimin e ligjit]”, thotë Janjiq.

Ai thekson se, pa stabilizimin e situatës së sigurisë në veri, nuk mund të ketë dialog për zbatimin në terren të obligimeve që dalin nga Marrëveshja drejt normalizimit të marrëdhënieve.

(Kosova Sot Online)