Stano e konfirmon: Bashkimi Evropian fton Kurtin e Vuçiqin në Bruksel

  • A.P /
  • 24 October 2023 - 18:00
Stano e konfirmon: Bashkimi Evropian fton Kurtin e Vuçiqin në Bruksel

Bashkimi Evropian tha se ka paraqitur një propozim “modern evropian” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

E gjitha kjo si rezultat i takimit të pesë përfaqësuesve ndërkombëtarë që zhvilluan në Kosovë dhe Serbi më 21 tetor dhe shkëmbimeve që kanë pasur me palët.

Këto deklarata i bëri zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili konfirmoi se blloku ka ftuar në Bruksel të enjten, më 26 tetor, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kur do të mbahet samiti i BE-së.

“Diskutimet e të dërguarit të posaçëm [të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi], Mirosllav Lajçak, gjatë fundjavës në Beograd dhe Prishtinë ishin të fokusuara në zbatimin e Aneksit të Ohrit. Nuk ka ndonjë qëllim që ai të zëvendësohet. U diskutuan propozime dhe ide të ndryshme – disa me shkrim – dhe këto diskutime do të vazhdojnë. Kjo po ashtu përfshin edhe një propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Stano.

(Kosova Sot Online)