Fajon: Kosova dhe Serbia të kthehen në tavolinën e dialogut

  • A.P /
  • 24 October 2023 - 18:37
Fajon: Kosova dhe Serbia të kthehen në tavolinën e dialogut

Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, duke komentuar takimin e paralajmëruar mes përfaqësuesve të Serbisë dhe Kosovës në Bruksel, tha se pret që të mos ketë përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve dhe të dy palët t’i kthehen dialogut, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë sot se në ditët e ardhshme pritet të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bruksel.

“Është gjithmonë e rëndësishme që të bëhet gjithçka në fuqinë tonë për të de-përshkallëzuar tensionet, që të mos ketë përshkallëzime të mëtejshme dhe që të dyja palët të kthehen në tavolinë dhe kjo do të thotë vazhdimi i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha ajo në një konferencë për media në kuadër të forumit të 12-të të strategjisë së BE-së për rajonin e Danubit në Bërdo kod Kranjë.

Shefi i diplomacisë austriake, Alexander Schallenberg, theksoi se është e rëndësishme që Serbia të sjellë para drejtësisë pjesëmarrësit e konfliktit në Banjskë.

“Është diçka që duhet ta bësh. Ta glorifikosh dikë që kreu vrasje si hero është diçka që nuk pritet mirë në Evropë,” u tha ai gazetarëve.

(Kosova Sot Online)