Sveçla: Serbia po e refuzon dorëzimin e Milan Radojiçiqit

  • A.P /
  • 24 October 2023 - 22:33
Sveçla:  Serbia po e refuzon dorëzimin e Milan Radojiçiqit

Ministri i Punëve të Mbrojtjes, Xhelal Sveçla, ka shkruar në Facebook, për sulmin terrorist të 24 shtatorit që sot mbushi një muaj, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Nga ai sulm ishte vrarë polici, Afim Bunjaku, tashmë hero i Kosovës.

Për këtë akt, përgjegjësinë e ka marrë Milan Radojçiq, ish-kryetar i Listës Serbe që dha dorëheqje pas 24 shtatorit.

Sveçla thotë se Serbia po e refuzon dorëzimin e tij përkundër se Radojçiq e ka marrë përgjegjësinë.

”Sot janë bërë 1 muaj nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, sulm ky i organizuar dhe financuar nga shteti i Serbisë. Ky sulm i realizuar nga grupe të trajnuara e të armatosura rëndë nga Serbia, mori jetën e Rreshter Afrim Bunjakut dhe kishte për qëllim të realizonte atë që Rusia bëri në Donbas, aneksimin e veriut të vendit tonë. Të gjitha faktet që dëshmojnë përfshirjen e plotë të Serbisë në këtë sulm terrorist i kemi ofruar për qytetarët tanë e për opinionin ndërkombëtar. Me këtë sulm, Serbia rikonfirmoi që ambiciet e saj për territorin tonë as nuk i ka zbehur as nuk i ka harruar që nga koha e kasapit të Ballkanit Millosheviq”, ka thënë ai.

”Lideri i sulmit të 24 shtatorit, kryekrimineli dhe bashkëpunëtori më i afërt i Presidentit të Serbisë, Milan Radojçiq, edhe pasi pranoi pjesëmarrjen dhe udhëheqjen e sulmit pas publikimit të dëshmive tona, u lirua menjëherë nga autoritetet e Serbisë dhe ka refuzim të dorëzimit të tij tek autoritetet tona të drejtësisë. Për më keq, Serbia shpalli tre ditë zie për tre terroristët që u neutralizuan nga zyrtarët tanë policor gjatë ballafaqimit të armatosur. Këto fakte dhe jo vetëm, dëshmojnë fuqishëm që Serbia sponsorizon me të gjitha kapacitetet e saj terrorizmin në rajon”.

”Me 24 shtator Republika jonë triumfoi kundër terrorit të Serbisë. Pa sanksionimin e Serbisë dhe ndëshkimin e 24 shtatorit e ardhmja nuk është e përcaktuar qartë për paqe dhe demokraci në rajon. Pa sanksionim të Serbisë në fakt stimulohen akte të tilla që cenojnë integritetin e shteteve fqinje.  Heroi Afrim Bunjaku me rënien e tij në ballafaqim me grupet terroriste mbrojti vendin tonë e qytetarët tanë si dhe shpërfaqi kriminalitetin e terrorizmin e sponsorizuar nga Serbia që e kemi thënë prej kohësh”, ka thënë Sveçla. 

(Kosova Sot Online)