Në kufi me Serbinë sekuestrohen 182 kg marihuanë

  • E.K /
  • 25 October 2023 - 11:56
Në kufi me Serbinë sekuestrohen 182 kg marihuanë

Policia e Kosovës ka njoftuar se dje në zonën kufitare me Serbinë ka arrestuar dy persona si dhe ka konfiskuar 182 kg marihuana, përcjell “Kosova Sot Online”.

Sipas njoftimit, vlera e kësaj substance narkotike në treg dyshohet të jetë rreth 400 mijë euro.

“Me datën 24.10.2023 rreth orës 21:35, pas informacioneve të shkëmbyera nga Njësia e Task Forcës e Policisë Kufitare – Lindje me Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në zonën kufitare RKS/SRB është ndaluar vetura e dyshuar me targa vendore e cila pas kontrollimit nga njësitë policore tek e njëjta është gjetur sasi e dyshuar e narkotikëve të llojit marihuanë, e cila dyshohet se ishte duke u transportuar nga Serbia për në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.

“Lidhur me rastin janë ndërmarrë menjëherë veprime hetimore, ku në konsultim me prokurorin kujdestar janë arrestuar dy të dyshuar shtetas kosovarë, Y.H. (1998) dhe D.H. (1990), për transportim me narkotikë si dhe janë sekuestruar narkotikë në sasi prej 182 kg. të llojit marihuanë, ku vlera e kësaj substance narkotike në treg dyshohet të jetë rreth 400.000 (katërqind mijë) euro”.

(Kosova Sot Online)