Konjufca: Ky shtet një nga mbështetësit e integrimit evropian të Kosovës

  • A.P /
  • 25 October 2023 - 22:59
Konjufca: Ky shtet një nga mbështetësit e integrimit evropian të Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në pritjen solemne në nderim të Ditës Kombëtare të Austrisë, organizuar sonte në Prishtinë nga Ambasada e Austrisë në vendin tonë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Duke vënë në pah rolin dhe mbështetjen e Austrisë në zhvillimin e demokracisë në Kosovë, kryetari Glauk Konjufca tha se bashkëpunimi mes dy vendeve është rritur dhe forcuar gjatë viteve, përfshirë këtu fushën e ekonomisë, kulturës, arsimin, si dhe shumë sektorë të tjerë. 

Tutje, kryetari Konjufca theksoi se rezultat i këtij thellimi dhe zgjerimi të marrëdhënieve është Agjencia e Zhvillimit të Austrisë, e cila ka mbështetur shumë projekte zhvillimore në Kosovë, që kanë çuar në investime dhe punësim. 

Për më tepër, Konjufca tha se Austria është një nga mbështetësit më të vendosur të integrimit evropian të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor.

Lidhur me marrëdhëniet diplomatike mes parlamenteve të të dy vendeve, kryekuvendari tha se Kuvendi i Kosovës ka marrëdhënie jashtëzakonisht produktive dhe shumë të mira me Parlamentin austriak, duke përmendur po ashtu edhe grupet parlamentare të miqësisë.

Kreu i Kuvendit theksoi se partneriteti mes dy vendeve tona është dhe duhet të shërbejë si shembull i suksesit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe një burim frymëzimi për të ardhmen.

(Kosova Sot Online)