AP: BE do të rrisë presionin ndaj Kurtit dhe Vuçiqit, Scholzit, Macronit e Melonit iu kërkua të bëjnë shtytjen e madhe

  • E.K /
  • 26 October 2023 - 14:02
AP: BE do të rrisë presionin ndaj Kurtit dhe Vuçiqit, Scholzit, Macronit e Melonit iu kërkua të bëjnë shtytjen e madhe

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, do të qëndrojnë sot në Bruksel. Takim të nivelit të lartë s’do të ketë, megjithatë Kurti dhe Vuçiq do të zhvillojnë takime të ndara me krerët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

Siç shkruan Associated Press, Bashkimi Evropian do ta rrisë presionin ndaj Kurtit dhe Vuçiqit për të normalizuar raportet, duke kërkuar kështu nga Scholz, Macron dhe Meloni që të bëjnë një shtytje të madhe për t’i detyruar Kosovën dhe Serbinë t’i lënë mënjanë dallimet.

Sipas AP, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri Albin Kurti nuk kanë besim tek njëri-tjetri dhe nuk ka gjasa të takohen ballë për ballë, megjithatë mediumi ndërkombëtar shkruan se ata do të zhvillojnë bisedime veçmas me krerët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë, plus dy zyrtarët e BE-së që mbikëqyrin një “dialog” belbëzues mes tyre.

Takimet në Bruksel vijnë në margjinat e një samiti të BE-së. AP shkruan se frika është e lartë për një rifillim të dhunës që karakterizoi lidhjet e tyre gjatë viteve 1998-99 dhe që kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008. 

(Kosova Sot Online)